Qeni i familjes kafshoi për vdekje 2-vjeçarin shqiptar, flet babai: Im bir më pa, buzëqeshi dhe mbylli sytë përgjithmonë

Nuk ka fjalë për të përshkruar tragjedinë që përjetoi familja dhe i gjithë komuniteti lokal në Zakynthos, me vdekjen e një “engjëlli” dyvjeçar nga sulmi i një qeni.

Nëna me origjinë britanike dhe babai me origjinë shqiptare, të cilët jetojnë në Agios Leontis, Zakynthos, u arrestuan, siç kërkohet me ligj, ndërsa po shqyrtohet nëse ka pasur neglizhencë në kujdesin ndaj fëmijës dhe në menaxhimin e qenit.

“Vajza ime e vogël më thirri dhe unë vrapova shpejt, kjo është e gjitha që mbaj mend. Djali im i vogël iku”, tha babai i djalit me zërin që i dridhej.

Sipas informacioneve, çifti, i cili ka edhe dy fëmijë të tjerë, ishte nisur për të blerë furnizime për shtëpinë dhe kur u kthyen pak pas mesditës, djali i vogël i shpëtoi vëmendjes dhe shkoi drejt pemës ku ishte lidhur qeni, i cili e sulmoi duke i shkaktuar lëndime të rënda.

“Qeni ishte endacak, e kishin lëshuar dhe e morëm sepse njerëzit në fshat bërtisnin se do t’i hante kafshët. E mora që të kishte një vend për të qëndruar dhe hëngri fëmijën tim. Fëmija më pa, më buzëqeshi dhe mbylli sytë”, shtoi babai i fëmijës.

Prindërit e fëmijës e çuan atë në Spitalin e Përgjithshëm të Zakynthos, ku mjekët luftuan për ta sjellë në jetë, por për fat të keq nuk ia dolën dot.

Autoritetet kompetente janë mobilizuar për të hetuar rrethanat e sulmit, ndërsa prindërit po mbahen në paraburgim.

Ndaj Postimin: