Detaje të reja kanë dalë në dritë për plagosjen me armë zjarri që ndodhi në hyrje të qytetit të Beratit, ku i lënduar mbeti 37-vjeçari Fabjel Toska (Xhindi). Ngjarja nisi pas një konflikti të çastit për shkak të parakalimeve të shumta mes dy automjeteve.
Sipas kamerave të sigurisë së sekuestruara nga bizneset dhe banesat e zonës, Toska po udhëtonte me një mjet tip “Seat” në aksin Kombinat–Dimal, së bashku me një shok të tij. Para tyre udhëtonte një fuoristradë e zezë dhe të dyja mjetet parakalonin njëri-tjetrin në mënyrë të përsëritur.
Në një moment, 37-vjeçari zbret nga makina dhe shkon drejt automjetit tjetër nga ana e shoferit, me qëllim që të sqaroheshin. Por sapo shoferi i fuoristradës hap xhamin, ai nxjerr armën dhe e qëllon Toskën me një plumb në bark. Në pamje shihet se shoku i të plagosurit del nga makina për të ndërhyrë, por largohet menjëherë me vrap sapo kupton se miku i tij është goditur.
Policia ka konfirmuar se mes 37-vjeçarit dhe drejtuesit të automjetit tjetër nuk ka patur njohje të mëparshme, gjë e cila rezulton edhe nga deklarimet e marra deri tani nga grupi hetimor.
Pas plagosjes, Toska u transportua fillimisht në Spitalin Rajonal të Beratit, ku mori trajtimin e parë mjekësor, dhe më pas u dërgua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë.
Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor po vijon me intensitet punën për zbardhjen e plotë të rrethanave, sigurimin e provave dhe identifikimin e autorit të ngjarjes.


