Sulme ruse ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë

Rusia vuri përsëri në shënjestër infrastrukturën energjetike të Ukrainës. Sipas Kievit ka pasur sulme në tetë rajone të vendit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski akuzoi përsëri Moskën për sulme të qëllimshme ndaj infrastrukturës civile të Ukrainës. Ai shkroi në mediat sociale se pas sulmeve të natës me më shumë se 650 dronë dhe 51 raketa pati të lënduar dhe shkatërrime. Zelenski deklaroi se objektivi kryesor ishte përsëri infrastruktura energjetike e vendit.

Si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga sulmet ruse në rajonin e Odesës në jug të vendit, kanë mbetur pa ngrohje 9,500 vetë dhe pa ujë 34,000. Ministri i Rindërtimit të Ukrainës, Oleksiy Kuleba, dha këtë informacion.

Kryeministrja Yulia Svyrydenko paralajmëroi në një njoftim në shërbimin X se ndërprerje të energjisë elektrike priten në të gjithë vendin si rezultat i riparimeve. Rusia i ka intensifikuar javët e fundit sulmet e saj ndaj infrastrukturës së furnizimit me energji dhe transportit të Ukrainës.

Nga një sulm rus në një kryqëzim hekurudhor në qytetin Fastiv, në jugperëndim të Kievit, u dëmtua një depo dhe disa vagona treni. “Nga këndvështrimi ushtarak, ky sulm nuk kishte kuptim”, tha Zelenski. Në shënjestër të sulmeve ishin edhe bizneset dhe ndërtesat e banimit në rajonin e Kievit.

Moska raporton dëme pas sulmeve ukrainase me dronë

Ministria e Mbrojtjes në Moskë tha se sulmet ndaj Ukrainës ishin si përgjigje ndaj sulmeve të dyshuara ukrainase kundër objektivave civile në Rusi.

Sipas Pavel Malkov, guvernatori i rajonit Ryazan, në rajonet Ryazan dhe Voronezh pati dëme, por jo të plagosur. Ai deklaroi gjithashtu se ishin rrëzuar 29 dronë ukrainas.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi se kishte kryer një sulm ndaj rafinerisë ruse të naftës në Ryazan, rreth 200 kilometrave në juglindje të Moskës. Rafineria i përket korporatës Rosneft dhe ishte goditur më parë nga një sulm me dronë ukrainas në fund të tetorit.

Ndaj Postimin: