FSHF feston Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, Anila Basha vlerëson të rinjtë: “Falë jush jemi në piedestal edhe në UEFA”

Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar për të dytin vit radhazi një aktivitet të posaçëm me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, ku u nderua kontributi i dhjetëra të rinjve dhe të rejave që shërbejnë si vullnetarë në çdo ngjarje futbollistike në vend. Një rreth prej rreth 100 vullnetarësh u mblodhën në stadiumin “Air Albania” për të festuar një sezon tjetër të suksesshëm, sukses që FSHF e cilëson të pandashëm nga energjia dhe përkushtimi i tyre gjatë gjithë vitit.

Në aktivitet mori pjesë edhe Kryetarja e Futbollit për Vajza dhe anëtare e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, e cila shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të vullnetarëve. Ajo theksoi se puna e tyre është një shtyllë thelbësore e funksionimit të futbollit shqiptar dhe se prania e tyre ka ndikuar ndjeshëm në cilësinë e organizimit të eventeve sportive.

“Falë energjisë tuaj kemi realizuar ngjarje të jashtëzakonshme, ashtu siç theksoi edhe presidenti. Kontributi juaj qëndron pas çdo detaji në fushë, edhe pse shpesh nuk dukeni. Pa ju, organizimi i një ceremonie do të ishte i pamundur. Këtë e kemi provuar me sukses në Shqipëri dhe vlerësimet nuk kanë munguar as nga partnerët tanë në UEFA,” u shpreh Basha në fjalën e saj.

Ajo tha se dega e vullnetarizmit në FSHF është një nga më të vlerësuarat edhe në strukturat evropiane të futbollit, duke falënderuar të gjithë vullnetarët për punën e tyre të palodhur: “Ju jeni aty, do të jeni aty dhe ne do të jemi së bashku në këtë rrugëtim të gjatë.”

Aktiviteti u mbyll mes atmosferës festive, duke i dhënë vullnetarëve një tjetër moment mirënjohjeje për punën e tyre të çmuar në sportin shqiptar.

Ndaj Postimin: