Berisha publikon videon e Kastriot Myftarajt në vitin 2016: “Rama projekt i Sorosit, Berisha dhe Meta do arrestohen”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpërndarë në rrjetet sociale një video të vitit 2016 ku publicisti Kastriot Myftaraj shpreh pikëpamjet e tij për zhvillimet politike të asaj kohe. Në reagimin e Berishës, ai e përshkruan Myftarajn si “njeriun që pagoi me jetën e tij të vërtetat që iu rrëfeu shqiptarëve”.

Në videon e publikuar, Myftaraj deklaron se kryeministri Edi Rama është “projekt i Sorosit”, ndërsa ish-kryeministri Berisha dhe ish-presidenti Ilir Meta do të arrestoheshin si rezultat i reformave që parashikonte ai në atë periudhë. Sipas tij, reforma në drejtësi do të realizohej, sistemi zgjedhor do të ndryshonte, por vendi nuk do të arrinte të siguronte drejtësi të vërtetë.

“Edi Rama është projekt i madh, jo projekt shqiptar. Sali Berisha, Fatos Nano dhe Ilir Meta kanë qenë projekte shqiptare. Rama është projekt i Sorosit… Reforma do bëhet, Meta do arrestohet, Berisha do arrestohet, sistemi zgjedhor do ndryshohet, por drejtësi nuk do ketë,” shprehej Myftaraj në intervistën e vitit 2016.

Kastriot Myftaraj, një nga figurat më të njohura të publikut për analizat dhe deklaratat e tij të forta, u nda nga jeta tre vite më parë. Sipas raportimeve zyrtare, ai dyshohet se kreu vetëvrasje duke u hedhur nga kati i katërt i banesës ku jetonte.

Videoja e risjellë në vëmendje nga Berisha ka ngjallur debat, teksa përfshin deklarata të forta politike të një periudhe kur reforma në drejtësi dhe ndryshimet në sistemin politik ishin çështje thelbësore të diskursit publik.

Ndaj Postimin: