Ish-bashkëshorti sulmon me thikë 50-vjeçaren shqiptare në Greqi, gruaja humb pjesërisht shikimin

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në ishullin Thasos të Greqisë, ku një 50-vjeçare shqiptare u sulmua me thikë nga ish-bashkëshorti i saj, një 55-vjeçar me origjinë shqiptare. Sulmi ndodhi në mes të rrugës, pranë banesës së gruas, e cila u dërgua me urgjencë në spital me plagë të rënda në fytyrë dhe kokë.

Pamjet e publikuara nga mediat greke tregojnë momentin kur gruaja, e frikësuar, hyn me vrap në një mini-market me shpresën se do t’i shpëtonte agresorit. Pak çaste më vonë, ai futet brenda dyqanit dhe e ndjek mes rafteve, ndërsa punonjësit përpiqen ta ndihmojnë viktimën dhe të pengojnë sulmuesin.

Dëshmitarët tregojnë se 55-vjeçari kishte hyrë fillimisht në banesën e ish-gruas së tij duke thyer xhamin e dritares, ndërsa ajo u largua me nxitim, zbathur, duke kërkuar strehim në dyqan. Pas përpjekjeve të para për t’u larguar, ai e ndoqi në rrugë dhe e goditi me thikë disa herë në fytyrë. Banorët e zonës i dolën në ndihmë, ndërsa pak më vonë mbërriti ndihma mjekësore dhe policia.

Gjatë kontrollit, autoritetet greke gjetën në çantën e agresorit jo vetëm thikën e përdorur, por edhe një bisturi dhe një kaçavidë. Ai u arrestua menjëherë dhe, sipas burimeve, nuk ka dhënë asnjë dëshmi para policisë. Sipas një dëshmitari, kur një person i tha se do të përfundonte në burg për atë që kishte bërë, 55-vjeçari u përgjigj me fjalët: “Ate që doja, e bëra.”

Gruaja e plagosur është jashtë rrezikut për jetën, por ka humbur rreth 25% të shikimit në njërin sy dhe ka dëmtime të theksuara në fytyrë.

Mediat greke raportojnë se agresori kishte mbërritur në Greqi më 1 dhjetor dhe kishte pyetur banorët, në shqip, duke pretenduar se ishte “vëllai” i viktimës. Më pas, pasi gjeti shtëpinë e saj, shkoi drejt banesës ku 50-vjeçarja jetonte prej tre vitesh me partnerin e saj të ri, duke nisur konfliktin që përfundoi në sulmin e rëndë.

Ndaj Postimin: