Policia e Tiranës ka arrestuar dy drejtues automjetesh në lidhje me aksidentin e trefishtë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Unazën e Madhe, ku humbi jetën 38-vjeçari Olton Xhambeu, që po udhëtonte me motor. Sipas njoftimit zyrtar, shtetaset Gj. L., 51 vjeçe, dhe A. Sh., 24 vjeç, janë vënë në pranga si të dyshuar për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Policia ka bërë të ditur se arrestimi erdhi pas përfundimit të veprimeve procedurale, të cilat përcaktuan përgjegjësinë e mundshme të dy drejtuesve të mjeteve të përfshirë në përplasjen e rëndë.
Ndërkohë, një tjetër arrestim është kryer në Shkodër, ku një 24-vjeçare ka goditur për vdekje një këmbësor 81-vjeçar në aksin “Shkodër – Hani i Hotit”. Sipas policisë, shtetasja S. S., 24 vjeçe, është ndaluar në flagrancë për të njëjtën vepër penale, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.
Materialet e të dyja ngjarjeve i janë referuar Prokurorisë për procedura të mëtejshme.


