Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 41-vjeçar, pasi gjatë kontrolleve në oborrin e banesës së tij është gjetur një sasi lënde narkotike e llojit kokainë, e ndarë në doza të gatshme për shitje.
Kontrollet u zhvilluan në kuadër të operacionit policor të koduar “Backyard”. Shërbimet e Komisariatit Nr. 3, së bashku me Seksionin e Narkotikëve, po kryenin verifikime në zonën përreth, ku banonin edhe të afërm të të arrestuarit. Para ndërhyrjes në banesë, policia kishte ndaluar për kontroll shtetasin K. L., 31 vjeç, në rrugën “Dritan Hoxha”. Ai nuk iu bind urdhrave të policisë dhe u shoqërua në komisariat.
Pas shoqërimit të tij, në komisariat u paraqitën edhe babai i 31-vjeçarit, M. L., 57 vjeç, dhe kunati i tij, A. B., 33 vjeç, të cilët kundërshtuan punonjësit e policisë. Të tre u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Më pas, policia kreu kontrolle në banesat e familjarëve, përfshirë atë të shtetasit K. K., 41 vjeç, në rrugën “Besa”. Pikërisht në oborrin e kësaj banese u gjet një enë e fshehur që përmbante sasi kokainë të ndarë në doza. Si rezultat, 41-vjeçari u arrestua në flagrancë për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.
Lënda narkotike u sekuestrua, ndërsa materialet procedurale iu dërguan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.


