Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dhënë një angazhim të qartë publik për aleatët e tij politikë, duke deklaruar se çdo ndryshim në sistemin zgjedhor do të përcaktohet së bashku me ta dhe në mënyrë të koordinuar. Deklarata u bë gjatë një takimi me partitë e Federatës së Opozitës së Bashkuar.
Berisha nënvizoi se opozita duhet të dakordësojë një sistem të vetëm zgjedhor që e konsideron më të përshtatshëm, duke theksuar se çdo vendim do të merret me konsensus dhe bashkëpunim të plotë.
Ai kujtoi se prej vitit 1991 Shqipëria ka ndryshuar disa herë modelin e përzgjedhjes së deputetëve, duke kaluar nga sistemi mazhoritar, në proporcional, pseudomazhoritar dhe së fundmi në sistemin proporcional rajonal. Berisha pranoi se PD dhe PS kanë qenë forcat kryesore që kanë orientuar këto ndryshime ndër vite.
Në fjalën e tij, ai garantoi se Partia Demokratike nuk do të marrë asnjë vendim e vetme dhe se çdo propozim do të harmonizohet me aleatët:
“Sot dua t’ju siguroj për vullnetin e plotë të PD që sistemi zgjedhor i ardhshëm të përcaktohet së bashku. Nuk do të ketë asnjë imponim nga ana jonë dhe çdo përzgjedhje do të bëhet me mirëkuptim e marrëveshje të ndërsjellë.”
Ai shtoi se përfaqësuesit e PD në komisionin e reformës zgjedhore do të mbrojnë qëndrimet e dakordësuara mes partive opozitare, me synimin për të gjetur modelin që konsiderohet më i përshtatshmi për kushtet e vendit.
Berisha e mbylli fjalën duke u bërë thirrje partive aleate të arrijnë një qëndrim të përbashkët që do të jetë bazë për propozimet në reformën zgjedhore.


