Lapaj në emisionin “Na Therret Atdheu” nga gazetari Besnik Sulejmani: “Arsimi dhe infrastruktura janë shtyllat e Shqipërisë të së ardhmes”

Adriatik Lapaj, drejtuesi i partisë “Shqipëria Bëhet,” ka zbuluar vizionin e tij për të ardhmen e vendit, duke theksuar se dy shtyllat kryesore të programit janë investimi në sistemin arsimor dhe ndërtimi i një infrastrukture madhore.

Në qendër të programit të arsimit është përmirësimi i kushteve të mësuesve, të cilëve do t’u dyfishohen pagat brenda disa viteve. Sipas Lapajt, rrogat e mësuesve do të rriten me 25% çdo vit, deri sa të dyfishohen. “Mund të duket shumë, por më lejoni t’ju shpjegoj,” tha ai. “Vetëm nga evazioni fiskal dhe kontrabanda e naftës, Shqipëria humb rreth 550 milionë euro në vit. Këto para do të mjaftonin për t’u dhënë mësuesve rritje page prej 700 eurosh në muaj për 121 muaj.”

Një tjetër element kyç i reformës arsimore të propozuar është ofrimi i arsimit falas deri në orën 13:00 për të gjithë nxënësit, ndërsa pasdite, shteti do të mbulojë shpenzimet për disa kategori të veçanta. “Fëmijët e familjeve të dëshmorëve, ata me aftësi të kufizuara dhe jetimët do të përfitojnë mbulim të plotë nga shteti,” shpjegoi Lapaj. “Ndërsa familjet e tjera do të kenë mundësinë të zgjedhin nëse duan të mbulojnë ushqimin në shkollë për fëmijët e tyre.”

Më tej, ai sqaroi se arsimi pas orës 14:00 deri në orën 17:00 do të jetë gjithashtu falas, duke ofruar kohë shtesë për detyra dhe aktivitete praktike. “Ky model do të ndihmojë edhe mësuesit e rinj, të cilët do të kenë më shumë mundësi praktike dhe eksperiencë,” theksoi ai.

Por përveç arsimit, Lapaj e konsideron të domosdoshëm ndërtimin e një infrastrukture kombëtare të unifikuar. Ai kritikoi mënyrën se si janë bërë investimet në infrastrukturë deri tani, duke i cilësuar si të fragmentuara dhe të paefektshme. “Në 34 vite kemi shpenzuar para në mënyrë të çorganizuar, duke ndërtuar copëza infrastrukture që nuk lidhen me njëra-tjetrën. Çdo projekt tenderohet dhe më pas përfundon i pavlerë,” tha ai.

Zgjidhja e propozuar nga Lapaj është ndërtimi i një autostrade madhore që do të lidhë veriun me jugun e vendit. “Do të ndërtojmë një autostradë nga Shkodra deri në Sarandë. Ky është një projekt që do t’i japë fund izolimit të zonave dhe do të sjellë zhvillim të qëndrueshëm për të gjithë vendin,” u shpreh ai.

Në fund, Lapaj përsëriti se qëllimi i partisë së tij është që fondet publike të investohen aty ku kanë më shumë ndikim: tek mësuesit dhe fëmijët, si dhe në krijimin e një infrastrukture që u shërben qytetarëve dhe zhvillimit të vendit. “Ne nuk besojmë në zgjidhje të pjesshme. Investimet duhet të jenë të plota dhe strategjike për të ndërtuar një Shqipëri që funksionon,” përfundoi ai.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera