Arrestohen dy të rinj në Tiranë, u sekuestrohen 4 armë zjarri dhe municion luftarak

Dy persona janë ndaluar nga policia e Tiranës pasi u kapën duke qarkulluar me armë zjarri në automjet. Gjatë kontrollit janë sekuestruar gjithsej katër armë zjarri, ndërsa njëri prej të arrestuarve rezulton me dënime të mëparshme për krime kundër personit. Të arrestuarit janë identifikuar si Ilir Dushku dhe Bjorli Xhabrahimi.

Sipas njoftimit zyrtar, operacioni i koduar “Hunter” u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 1, në kuadër të punës për parandalimin e armëmbajtjes pa leje dhe aktivitetit kriminal të lidhur me të. Dy të rinjtë u kapën në zonën e Mjull Bathores dhe gjatë kontrollit fizik policia gjeti një armë gjahu teke dhe 29 fishekë tek Ilir Dushku, si edhe një armë tjetër gjahu tek Bjorli Xhabrahimi. Dushku, 29 vjeç, ka qenë i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje dhe heqje të paligjshme të lirisë, ndërsa Xhabrahimi është 22 vjeç.

Kontrolli u shtri edhe në banesën e Dushkut, ku u sekuestruan dy pistoleta, municion luftarak, një armë e ftohtë dhe një sasi e vogël lënde të dyshuar narkotike të llojit kokainë. Sipas policisë, materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës dhe vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Ndaj Postimin: