Një tjetër ngjarje e rëndë tronditi vendin mbrëmjen e së enjtes. 15-vjeçari nga Durrësi, Erion Boba, ndërroi jetë në QSUT pasi u godit me thikë nga një bashkëmoshatar pas një konflikti të nisur në rrjetet sociale.
Pavarësisht “luftës” 9-ditore me vdekjen, plagët e rënda rezultuan fatale, duke i marrë jetën një adoleshenti me ëndrra të mëdha, për të cilin familja thotë se “ishte dritë për të gjithë ata që e njihnin”.
Ngjarja, që sipas familjarëve nisi nga një debat banal mes fëmijësh, është rënduar edhe më shumë pas humbjes së jetës së të miturit. Mes dhimbjes, familja kërkon përgjigje dhe një reagim të qartë nga institucionet.
Halla e Erionit, në një letër të dërguar gazetares Klodiana Lala, shpreh tronditjen dhe revoltën e saj, duke thënë se nipi “u vra dy herë”: një herë nga bashkëmoshatari dhe një herë nga mungesa e reagimit institucional. Ajo shkruan se askush nuk ka trokitur në derën e tyre — as policia, as shërbimet psikologjike — ndërsa familja përjeton ditët më të vështira të jetës.
Letra
Na la djali, Klodiana!
Ai u vra dy herë!
Një herë nga vrasësi dhe një herë nga shteti.
Asnjë reagim, as nga policia, as nga media, as psikolog për të afërmit. Jemi në një dhimbje që nuk po kemi më zemër ta mbajmë… Kam ditë që përpiqem ta bëj mediatike, që të vërë dorë shteti apo dikush tjetër, dhe të gjithë u vonuan. Të gjithë panë një tjetër gjë më të rëndësishme (politikën??) që po vret të rinjtë tanë.
O moj Shqipni, e mjera Shqipni…
Unë jam poete dhe po mbaj zemrën me dorë. Po lutem të kemi të tjerë… por më ka shkuar frika në palcë. Kur do ndalojnë këto dhimbje, këto plagë për Shqipërinë tonë, për ne nënat që na dridhen këmbët? Ku është ligji?
Pse dalin fajtorët nga burgu pas dy vjetësh?
Pse nuk funksionojnë psikologët nëpër shkolla, që të flitet për tema të tilla rrezikshmërie, jo për “gjinitë”?
Pushtetarët po vrasin kombin shqiptar… dhe unë këtë do ta them në çdo ditë timen, në çdo shkrim e varg. Nuk do mundet askush të më ndalojë derisa të mos vriten më fëmijë në kombin tim. Jemi bërë me trauma… Edhe media ka fajet e veta… Populli (ne) nuk dimë më ku ta kërkojmë të drejtën.
Gjithsesi, më lër të të falënderoj që më u përgjigje në telefon dhe me mesazhe… Fati i Erionit tonë paska qenë bota e përtejme, sepse në këtë botë paska kriminelë kudo.


