Vajza e dyshuar e Vladimir Putinit, 22 vjeçarja Luiza Rozova (emri i lindjes Elizaveta Krivonogikh), është përballur në Paris me një gazetar ukrainas, i cili i kërkoi reagim për luftën që ka nisur babai i saj në Ukrainë. Gazetari Dmytro Sviatnenko, vëllai i të cilit u vra së fundmi në një sulm me raketa ruse, e pyeti atë drejtpërdrejt për rolin e Putinit në gjakderdhjen që po ndodh.
Gjatë përballjes, Luiza u shpreh se i vinte vërtet keq për situatën dhe lavdëroi gazetarin për guximin e tij. Më pas, ajo u largua pa dhënë shpjegime të tjera.
Sviatnenko i foli Luizes për vëllain e tij Volodymyr, i cili u vra tre javë më parë në një sulm rus, dhe e pyeti se si ajo mund të jetojë në Evropë ndërsa Putini shihet si përgjegjës për bombardimet në Ukrainë. Ai e pyeti disa herë nëse e mbështet politikën e babait të saj dhe nëse mund ta telefononte për t i kërkuar ndalimin e sulmeve.
Luiza fillimisht kundërshtoi filmimin, por gazetari i kujtoi se Kievi ndodhej nën alarm ajror dhe pa energji elektrike në atë moment. E pyetur për politikat e Putinit, ajo u përgjigj me fjalët: Çfarë lidhje ka kjo me mua. Ndërsa kur gazetari i kërkoi të telefononte babain e saj për t i kërkuar ndalimin e bombave, ajo tha: Epo, sigurisht, por nuk dha veprime të mëtejshme.
Sviatnenko e ftoi gjithashtu të vizitonte Kievin ose zonën e luftës në Pokrovsk, duke i thënë se prania e saj mund të kishte efekt simbolik dhe të ndalonte sulmet me dronë dhe raketa.
Luiza Rozova jeton aktualisht në Paris. Ajo njihet publikisht si vajza e Putinit nga një marrëdhënie e dyshuar me Svetlana Krivonogikh, e cila sot është një biznesmene e pasur në Rusi. Autoritetet ruse nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht atësinë e saj.


