Kater vende europiane tërhiqen nga Eurovisioni 2026 pas vendimit për lejimin e Izraelit në garë

Spanja, Irlanda, Sllovenia dhe Holanda kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në Eurovisionin e vitit 2026, pasi Unioni Europian i Transmetuesve ka vendosur të lejojë Izraelin të konkurrojë. Vendimi i EBU-së vjen në një kohë me kritika të shumta për rolin e Izraelit në luftën në Gaza.

Mbledhja e EBU u zhvillua në Gjenevë dhe anëtaret vendosën të mos e çonin çështjen në votim, duke miratuar disa ndryshime të synuara për të rritur neutralitetin dhe transparencën e konkursit. Presidenti izraelit Isaac Herzog e përshëndeti vendimin, ndërsa ministri i jashtëm izraelit Gideon Saar kritikoi vendet që hoqën dorë nga pjesëmarrja.

Sipas EBU, të gjitha vendet që pranojnë rregullat e reja do të jenë të mirëpritura në Eurovision 2026. Ndryshimet synojnë të kufizojnë ndikimin politik dhe ndërhyrjet në procesin e votimit.

Pas vendimit për të lejuar Izraelin, transmetuesi spanjoll RTVE njoftoi tërheqjen e menjëhershme të Spanjës. Edhe Irlanda deklaroi se nuk do të marrë pjesë ose transmetojë konkursin. Holanda tha se pjesëmarrja në rrethanat aktuale nuk është në përputhje me vlerat e saj publike. Sllovenia gjithashtu u tërhoq me arsyetimin se konkursi nuk garanton neutralitet moral dhe politik.

Eurovisioni, i krijuar në vitin 1956, është përpjekur të ruajë largësinë nga politika, por ngjarjet ndërkombëtare kanë ndikuar shpesh në diskutimet rreth pjesëmarrjes së disa vendeve. Rusia u përjashtua në vitin 2022 pas pushtimit të Ukrainës.

Ndërkohë, vende të tjera europiane, përfshirë Gjermaninë, mbështesin vazhdimin e pjesëmarrjes së Izraelit. Ministri gjerman i Kulturës ka deklaruar se Eurovisioni duhet të jetë i hapur për Izraelin.

Pavarësisht tensioneve, EBU konfirmon se edicioni i vitit 2026 do të mbahet sipas planit, me rregullat e reja dhe me listën e vendeve pjesëmarrëse që do të konfirmohet në muajt e ardhshëm.

Ndaj Postimin: