Nazif Muslija, 50 vjeç, i cili tronditi opinionin publik në Itali pasi akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij Sadjide Muslija në qytetin e Ankonës, është gjetur i plagosur rëndë nga autoritetet italiane. Hetuesit dyshojnë se ai ka tentuar t i japë fund jetës pas krimit.
Sipas mediave italiane, Muslija u gjet rreth orës 16 e 30 minuta nga një gjuetar, i cili i dha ndihmën e parë dhe njoftoi menjëherë policinë. Pas gjetjes së tij, prokuroria e Ankonës ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar dhe ka urdhëruar autopsinë mbi trupin e viktimës.
Karabinierët janë rikthyer në banesën ku Sadjide Muslija u gjet e vrarë, me qëllim mbledhjen e provave shtesë dhe identifikimin e mjetit të fortë që dyshohet se është përdorur për kryerjen e krimit.
Viktima 49 vjeçare u gjet e pajetë në shtratin e saj, me shenja dhune të fortë në kokë dhe në gjoks. Nazif Muslija kishte precedentë për dhunë në familje dhe ishte arrestuar më herët për një sulm ndaj bashkëshortes me sëpatë.
Pas krimit, ai u largua me një makinë tip Smart, ndërsa telefoni i tij rezultonte i fikur që prej mëngjesit të ditës së djeshme. Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivin e vrasjes dhe rrethanat në të cilat Muslija është plagosur.


