Italia shtyn miratimin e dekretit për zgjatjen e ndihmës ushtarake ndaj Ukrainës në pritje të zhvillimeve SHBA Rusi

Qeveria italiane e drejtuar nga kryeministrja Giorgia Meloni ka vendosur të shtyjë miratimin e dekretit që do të autorizonte vazhdimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën gjatë vitit 2026. Vendimi u mor pak para mbledhjes së kabinetit, pasi u njoftua se çështja nuk do të përfshihej në agjendën e diskutimeve në Palazzo Chigi.

Fillimisht, masa ishte planifikuar të miratohej sot, por zhvillimet e fundit në negociatat mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë duket se kanë ndikuar në qëndrimin e qeverisë italiane. Sipas shtypit italian, miratimi i menjëhershëm i dekretit do të përbënte një sinjal të qartë mbështetjeje për qeverinë e Volodymyr Zelenskyt, por një pjesë e kabinetit ka kërkuar të pritet për të parë progresin e dialogut ndërkombëtar.

Komentohet se linja e ministrit të Transportit dhe Sekretarit të partisë Lidhja, Matteo Salvini, ka pasur peshë vendimtare në këtë shtyrje. Salvini ka argumentuar se Italia duhet të verifikojë zhvillimet e bisedimeve mes Moskës dhe Uashingtonit përpara se të angazhohet me një vendim të ri ushtarak.

Pavarësisht shtyrjes, qeveria italiane duhet të japë autorizimin për vazhdimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën brenda këtij viti. Sipas procedurave të Italisë, detajet e ndihmës ushtarake nuk bëhen publike. Ato i paraqiten vetëm komisionit parlamentar që mbikëqyr shërbimet e sigurisë së vendit.

Italia, një ndër vendet kryesore të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ka qenë mbështetëse e Ukrainës që nga nisja e konfliktit, por vendimi i shtyrjes tregon kujdes të shtuar në raport me dinamikat e reja ndërkombëtare.

Ndaj Postimin: