Iliria reagon ndaj fotove të Skënderbeut: Nuk ka pasur dhunë, dëmtimet nuk lidhen me incident në stadium

Klubi i Ilirisë ka reaguar sërish për situatën e ndodhur në Fushë Krujë para ndeshjes me Skënderbeun, duke mohuar kategorikisht që ka pasur dhunë ndaj lojtarëve kundërshtarë. Pas publikimit të fotove ku duken dy futbollistë të Skënderbeut me shenja dëmtimi, klubi krutan ka sqaruar se, sipas tyre, dëmtimet nuk janë rezultat i një përplasjeje fizike para ndeshjes.

Sipas deklaratës së Ilirisë, pjesa e dëmtuar brenda buzës së lojtarit Saleh Nasr mund të jetë shkaktuar nga një problem shëndetësor në gojë dhe jo nga goditje. Për futbollistin tjetër të dëmtuar, Salim Abubakar, klubi pretendon se nuk ka asnjë shenjë të dukshme dëmtimi dhe se pretendimet e Skënderbeut janë të pajustifikuara.

Iliria thotë se as lojtarët e tjerë dhe as stafit nuk kanë pasur shenja dhune, ndërsa akuzon palën korçare se po paraqet fakte të shtrembëruara. Sipas tyre, pretendimet për dhunë lidhen me pakënaqësinë e Skënderbeut për gjendjen e terrenit, i cili ishte i rënduar nga kushtet atmosferike.

Në deklaratën zyrtare, Iliria thekson se siguria në stadium ishte e garantuar nga Policia e Shtetit dhe se terreni ishte miratuar për lojë nga arbitrat dhe delegati i ndeshjes. Klubi shpreh habinë për vendimin e Skënderbeut për t u tërhequr nga takimi, duke e quajtur atë të pashpjegueshëm dhe të pabazuar.

Iliria deklaron se çdo publikim që, sipas tyre, synon të manipulojë opinionin publik do të trajtohet me mjete ligjore, ndërsa nënvizon se nuk ka pasur dhunë apo incidente në stadiumin Redi Maloku.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033