Policia e Krujës ka bërë të ditur se ka nisur hetimet ndaj dy futbollistëve të klubit Iliria të Fushë Krujës dhe një përfaqësuesi të ekipit, pas incidentit të ndodhur para ndeshjes kundër Skënderbeut. Në procedim në gjendje të lirë janë vëllezërit Adolf Selmani, Brajan Selmani dhe Jornels Selmani.
Ngjarja ndodhi një ditë më parë, pak para fillimit të ndeshjes së planifikuar për orën 13 e 30 minuta, kur lojtarë të Ilirisë u konfliktuan fizikisht me futbollistët e Skënderbeut në dhomat e zhveshjes. Si pasojë e përplasjes u dëmtuan lojtarët Saleh Nasr dhe Salim Abubakar, ndërsa ndeshja u shty.
Të dy klubet reaguan publikisht pas incidentit, me Ilirinë që mohoi përdorimin e dhunës, por pavarësisht deklarimeve, policia ka nisur zyrtarisht hetimet për sqarimin e ngjarjes.
Sipas njoftimit të Policisë së Krujës, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit.


