Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Moska nuk është dakord me disa elementë të planit amerikan për t i dhënë fund luftës në Ukrainë, pas një takimi gati pesë orësh në Kremlin me negociatorët e dërguar nga presidenti amerikan Donald Trump. Sipas tij, çështjet më të vështira mbeten territori i pushtuar dhe garancitë e sigurisë për Kievin.
Putin i tha India Today se Rusia nuk kishte marrë një version të përditësuar të planit të SHBA para takimit, gjë që e zgjati procesin e diskutimeve. Ai përsëriti kërkesën që trupat ukrainase të tërhiqen nga Donbasi, përfshirë zonat që aktualisht kontrollohen nga Ukraina.
Negociatori rus Yuri Ushakov konfirmoi se bisedimet nuk prodhuan kompromis dhe se pozicioni i Rusisë është forcuar sipas tij nga zhvillimet e fundit në fushën e betejës.
Ndërkohë, ekipi negociator i Trump it i udhëhequr nga Steve Witkoff dhe Jared Kushner pritet të takohet me delegacionin ukrainas në Florida. Trump u shpreh se bisedimet në Moskë ishin mjaftueshëm të mira, por theksoi se ishte ende herët për një rezultat konkret.
Ukraina akuzoi Putinin se po humb kohën e botës, ndërsa ministri i jashtëm Andrii Sybhia e cilësoi Rusinë si palë që po bllokon progresin në bisedime. Presidenti Volodymyr Zelensky përsëriti se Ukraina nuk pranon të lëshojë territor dhe se çdo marrëveshje duhet të garantojë siguri të forta për vendin. Ai konfirmoi se negociatorët ukrainas kanë bërë disa ndryshime të rëndësishme në versionin fillestar të planit amerikan.


