Një 26 vjeçar është arrestuar nga Policia e Shkodrës pasi akuzohet se ka kërcënuar me arme zjarri një 20 vjeçar gjatë një konflikti për motive të dobëta. Ngjarja ka ndodhur në lagjen Tre Heronjtë.
Sipas njoftimit zyrtar, pas marrjes së informacionit se një person kishte kanosur një të ri duke qëlluar në ajër me arme zjarri, shërbimet e Policisë në bashkëpunim me patrullen e përgjithshme dhe forcat Shqiponja organizuan menjëherë operacionin për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Falë reagimit të shpejtë, u bë e mundur arrestimi i shtetasit A Sh, 26 vjeç. Hetimet paraprake tregojnë se ai ka kanosur shtetasin Xh G, 20 vjeç, duke shtënë në ajër me një arme automatike.
Policia ka sekuestruar armen e zjarrit të përdorur gjatë ngjarjes, ndërsa vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të rastit. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.


