Pas reshjeve të ditëve të fundit dhe prurjeve të lumenjve, sasi të mëdha mbetjesh kanë dalë në bregdet, duke ndotur vijën e plazhit. Kryebashkiaku Subashi ka nisur aksionin e pastrimit, duke mbledhur mbetjet e grumbulluara në zona të ndryshme të bregut.
Megjithatë, krahas pastrimit, qytetarët kanë ngritur shqetësimin për destinacionin final të këtyre mbetjeve. Pyetjet kryesore lidhen me faktin se vendgrumbullimi pranë inceneratorëve raportohet i mbingarkuar, duke sjellë pasiguri për menaxhimin e mbetjeve të reja.
Në rrjete sociale është diskutuar edhe mundësia e dërgimit të tyre në Azotik, apo frika se mos përdoren praktika të papërshtatshme, siç ka ndodhur në raste të mëparshme me djegien e vendgrumbullimeve të vjetra.
Qytetarët kërkojnë transparencë nga Bashkia për mënyrën se si do të trajtohen mbetjet e mbledhura, ndërsa komentet e tyre pasqyrojnë shqetësimin për menaxhimin afatgjatë të situatës.


