Ministria e Arsimit dhe qeveria franceze kanë nënshkruar një marrëveshje të re bashkëpunimi që synon forcimin dhe zgjerimin e seksioneve dygjuhëshe shqip–frëngjisht në shkollat shqiptare. Marrëveshja u firmos gjatë një takimi të ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, me mësues të frëngjishtes të arsimit parauniversitar, ku ishte e pranishme edhe ambasadorja e Francës, Catherine Suard.
Kumbaro theksoi se rrjeti i shkollave dygjuhëshe në Korçë, Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Tiranë duhet të vijojë të fuqizohet falë kontributit të mësuesve të frëngjishtes, të cilët punojnë çdo ditë për përgatitjen e nxënësve. Ajo nënvizoi se njohja e gjuhës franceze u jep të rinjve avantazhe të qarta për të ardhmen.
Ministrja bëri të ditur se mësimi i frëngjishtes po shtrihet përtej shkollave dhe synon të parapërgatisë nxënësit për liceun e ri franko-shqiptar me orientim shkencor, që pritet të hapet në shtator 2027. Liceu do të jetë publik, me laboratorë, klasa moderne, fjetore dhe mensë, ndërsa një pjesë e lëndëve do të zhvillohen në gjuhën frënge nga pedagogë francezë, dhe pjesa tjetër në shqip nga pedagogë shqiptarë. Programet janë miratuar në masën 95% nga të dy qeveritë dhe ASCAP.
Ambasadorja Suard theksoi se liceu franko-shqiptar do të jetë një simbol i partneritetit mes dy vendeve dhe një investim strategjik për afrimin e të rinjve me kulturën evropiane. Sipas saj, ky institucion do të formojë breza të rinjsh frankofonë që do të shërbejnë si ura lidhëse mes Shqipërisë dhe Francës.
Në kuadër të marrëveshjes, Ministrja Kumbaro dhe Ambasadorja Suard firmosën bashkëpunimin për pesë shkolla të mesme dygjuhëshe: “Raqi Qirinxhi”, “Gjergj Kastrioti”, “Luigj Gurakuqi”, “Oso Kuka” dhe “Asim Vokshi”. Në këto shkolla, deri në 50% e kurrikulës zhvillohet në gjuhën frënge, duke u mundësuar nxënësve certifikim ndërkombëtar përmes provimit DELF. Gjithashtu, 20 shkolla 9-vjeçare do të mbështeten për të vijuar modelin dygjuhësh në arsimin parauniversitar.


