Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku pritet të pyetet në lidhje me një sërë tenderash të mëdhenj të këtij institucioni. Karçanaj, e cila drejton një agjenci me varësi direkte nga Kryeministri, do të japë shpjegime për të paktën 12 tendera me vlera që shkojnë në qindra milionë euro dhe që janë zhvilluar nga AKSHI ose nga grupet e vlerësimit të ofertave të mbikëqyrura prej saj.
Sipas raportimeve, tenderat e dyshuar kanë vijuar edhe pas sekuestrimit të dokumenteve dhe materialeve elektronike nga oficerët e BKH-së në disa kompani të përfshira në procedurat e AKSHI-t. Hetimi po zgjerohet dhe ndër personat që pritet të pyeten është edhe biznesmeni Ermal Beqiri, pronar i kompanisë “Soft & Solution”, i cili prej vitesh është përfshirë në tendera të rëndësishëm të teknologjisë së informacionit.
Beqiri njihet si një nga përfituesit më të shpeshtë të tenderave të AKSHI-t, duke marrë kontrata të konsiderueshme në projekte që shpesh kanë qenë objekt denoncimesh për mungesë gare të vërtetë ose për procedura të diskutueshme. Ai është përmendur në disa raste si një nga aktorët kryesorë të sektorit IT që fiton rregullisht tendera të mëdhenj, ndërsa kritikat janë fokusuar te mënyra e zhvillimit të këtyre procedurave dhe te konkurrenca e kufizuar.
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka deklaruar disa herë se AKSHI administron tendera me vlera të larta, për të cilët ai pretendon se fshihen interesa të afërta me kreun e qeverisë. Sipas akuzave të bëra publike, një pjesë e procedurave të AKSHI-t janë zhvilluar me transparencë të kufizuar, ndërsa të tjera dyshohen se janë fituar nga kompani të paracaktuara, të cilat kanë paraqitur oferta fiktive vetëm për të plotësuar numrin minimal të pjesëmarrësve.
Hetimet e SPAK synojnë të verifikojnë mënyrën e zhvillimit të tenderave, marrëdhëniet mes institucioneve dhe operatorëve ekonomikë, si dhe procedurat e ndjekura në kontratat shumë milionëshe të AKSHI-t. Oficerët e Policisë Gjyqësore dhe BKH-së vijojnë sekuestrimin e dokumentacionit dhe analizën e materialeve të administruara, për të përcaktuar nëse janë shkelur procedurat ligjore dhe nëse ka përgjegjësi penale.
Çështja shihet si një ndër hetimet më të mëdha që lidhen me fondet publike në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe pritet të hedhë dritë mbi mënyrën e menaxhimit të projekteve dixhitale më të rëndësishme të administratës publike.


