Fermerët grekë në grevë, Kakavija njofton udhëtarët: Nga ora 19:00 bllokohet rruga drejt Janinës, lejohen vetëm emergjencat

Policia Kufitare ka njoftuar se të gjithë qytetarët që udhëtojnë nga Shqipëria drejt Greqisë përmes Pikës së Kalimit Kufitar të Kakavijës duhet të marrin parasysh kufizime të rëndësishme në qarkullim, për shkak të protestave të fermerëve grekë.

Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 19:00 e ditës së sotme dhe deri në një njoftim të dytë, aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë plotësisht i bllokuar.

Shkak i kësaj situate është greva e paralajmëruar e fermerëve dhe blegtorëve grekë, të cilët kanë dalë në protesta duke kërkuar zgjidhje urgjente për problemet ekonomike që po përballen.

Autoritetet kufitare bëjnë të ditur se pas këtij orari do të lejohen të kalojnë vetëm automjetet me emergjenca shëndetësore, duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve dhe duke u sugjeruar që të planifikojnë udhëtimet në orare të tjera.


4,000 traktorë në rrugë – bllokime masive në Greqi

Protestat e fermerëve janë shtrirë në disa zona të Greqisë Perëndimore dhe Thesalisë. Ata kundërshtojnë:

  • kostot e larta të prodhimit,
  • uljen e subvencioneve nga OPEKEPE,
  • vonesat në pagesa dhe mbështetje financiare.

Në disa akse kryesore rrugore janë raportuar bllokada me qindra traktore. Vetëm në Thesali, numri i mjeteve bujqësore që marrin pjesë në protesta i ka kaluar 4,000.

Një bllokadë e re është ngritur në kryqëzimin e Megalochorit, në Trikala, ndërsa situata ka rënduar edhe në autostradat kryesore.


Autostrada Athinë–Selanik mbyllet në disa segmente

Për shkak të protestave, Rruga Kombëtare Athinë–Selanik mbetet e mbyllur në zonën e Nikaias, si edhe autostrada E-65 në Kardicë. Lëvizja është paralizuar pjesërisht edhe në doganat me Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë, duke krijuar vonesa dhe devijime të mëdha në qarkullim.

Ndaj Postimin: