Biznesmenja Elisabeta Dosti në “arrest shtëpie” për përvetësim dhe transferim të paligjshëm pasurish me vlerë mbi 1 milion euro

Prokuroria e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për biznesmenen Elisabeta Dosti, e dyshuar se ka përvetësuar dhe transferuar në mënyrë të paligjshme pasuritë e një shoqërie të privatizuar, duke përfituar mbi 1 milion euro në dëm të aksionerëve të tjerë.

Sipas Prokurorisë, hetimet kanë provuar se në vitin 2013, E.D., në cilësinë e përfaqësueses ligjore të shoqërisë “Prodhim Veshje nr.02” sh.a – kompani e krijuar nga privatizimi i një ndërmarrjeje shtetërore ku punonjësit u bënë aksionerë – ka kryer kalimin e të gjithë pasurive të paluajtshme të kësaj shoqërie drejt kompanisë “Empire Investment Solution (EIS)” sh.p.k. Kjo e fundit, në momentin e krijimit, kishte kapital të zotëruar 100% prej saj. Kalimi i pronësisë, sipas Prokurorisë, është bërë përmes vendimeve dhe akteve të falsifikuara dhe në kundërshtim të plotë me ligjin.

Më pas, Dosti ka transferuar dhe zhvendosur pronësinë e kuotave të shoqërisë “Empire Investment Solution (EIS)” sh.p.k me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të kapitalit, duke qenë e vetëdijshme se këto pasuri ishin produkt i veprës penale.

Pasuritë e paluajtshme të kaluara në mënyrë të paligjshme tek “EIS” janë dhënë me qira duke gjeneruar të ardhura të larta, ndërsa një pjesë është shitur në vlerën 1,000,000 euro. Me kontratën e sipërmarrjes së datës 18.12.2019, pasuria me nr. 2/2337 – e transferuar po në mënyrë të paligjshme – e ndodhur në Rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, me sipërfaqe totale 5,989 m² (prej të cilave 1,375 m² ndërtesë), është përdorur për ndërtimin e një objekti shumëkatësh multifunksional mbi një sipërfaqe prej 12,201.36 m². Si këmbim, porositësi do të marrë 35% të sipërfaqes ndërtimore që i korrespondon kësaj prone.

Nga këto transaksione, shoqëria “Empire Investment Solution (EIS)” ka realizuar pasuri me vlera miliona euro, duke përjashtuar nga fitimi aksionerët e tjerë të shoqërisë “Prodhim Veshje nr.02” sh.a., të cilët kryesisht ishin pensionistë dhe ish-punonjës të ndërmarrjes së dikurshme NPV.

Transferimi i aseteve, sipas Prokurorisë, është kryer jo vetëm mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara dhe në kundërshtim me ligjin, por edhe përmes akteve të tjera të paligjshme, përfshirë veprime me karakter korruptiv, me qëllim dëmtimin e interesave të aksionarëve në minorancë.

Me kërkesë të organit të akuzës, gjykata vendosi masën “arrest në shtëpi” ndaj E.D., e akuzuar për “Falsifikim dokumentesh” dhe “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Me vendimin e datës 27.11.2025 u përcaktua vazhdimi i kësaj mase sigurie.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar vlerën e saktë të dëmit dhe produktit të veprës penale.

Ndaj Postimin: