Policia e Shtetit ka vënë në pranga shtetasin Nevzat Spaho, një person me precedentë penalë dhe i njohur prej vitesh për organet e rendit dhe median. Arrestimi i tij është kryer dje në Përrenjas, ku sipas hetimeve paraprake ai dyshohet të ketë qenë ekzekutori i biznesmenit Edmond Mëhalla, ngjarje që tronditi Elbasanin mbrëmjen e së dielës.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se kapja e Spahos është rezultat i disa orësh ndjekjeje dhe verifikimesh të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit. Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të motivit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Arrestimi i Spahos pritet të hedhë më shumë dritë mbi motivet e ngjarjes dhe rolin e secilit prej të dyshuarve, ndërsa kontrollet për kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë janë ende në vijim.
Kush është Nevzat Spaho?
Ngjarja e vitit 2016
Nevzat Spaho u bë i njohur për publikun në vitin 2016, kur u arrestua pas një sherri me thika në një stacion autobusi në Prrenjas. Përplasja fizike solli plagosjen e dy të rinjve nga fshati Rrajcë, ndërsa Spaho dhe një tjetër shtetas u ndaluan nga policia.
Arrestimi i vitit 2022
Në vitin 2022, ai u arrestua sërish, pasi kishte kërcënuar me armë një qytetar, duke i kërkuar me forcë shumën prej 3 mijë euro. Edhe ky episod e riktheu emrin e tij në qendër të kronikës së zezë.
Mëngjesin e djeshëm policia e Elbasanit doli me një njoftim zyrtar, ku bëri me dije se falë punës intensive u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorëve të cilët dyshohet se kanë ekzekutuar me tre plumba biznesmenin Mëhalla.
Marselo Arani dhe Armando Kola janë dy të rinjtë të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në atentatin ndaj 43-vjeçarit. Ndërkohë, në kuadër të këtyre hetimeve në pranga ra roja i karburantit, Kujtim Pisha, i cili akuzohet se nuk ka treguar për atentatin, si dhe Xhino Ago, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenit.
Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të 32-vjeçarit Xhino Ago, i cili ia kishte dhënë hua për përdorim Marselo Aranit, një prej autorëve të dyshuar në vrasjen e biznesmenit.
Xhino Ago dhe Edmond Mëhalla ishin ortakë në “Xhaxhi OIL & Rental CAR”, por që në vitin 2023 janë shkëputur. Ago ishte një suportues i biznesit tjetër të Mëhallës, atij të rrjetit të taksive, ku përmes njoftimeve në llogarinë e tij personale në “Facebook”, kërkonte punonjës për “shokun”, por për arsye që ende nuk dihen marrëdhëniet e tyre u prishën.


