Në seancën e radhës në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), kryebashkiaku Erion Veliaj zhvilloi një debat të ashpër me prokurorin Dado, duke kërkuar të drejta më të plota procedurale dhe respektim të dinjitetit të tij.
Pasi për një periudhë kishte munguar në seancat paraprake, Veliaj u paraqit personalisht përpara trupit gjykues dhe përsëriti kërkesën që aktet hetimore t’i vihen në dispozicion në mënyrë reale dhe të plotë. Ai theksoi se, megjithëse ndodhet në paraburgim prej nëntë muajsh, nuk ka pasur mundësi të lexojë asnjë faqe nga dosja hetimore mbi të cilën është ngritur akuza.
Veliaj deklaroi se ka kërkuar vazhdimisht dinjitet dhe akses të plotë për të lexuar provat dhe çdo deklarim mbi të cilat është ndërtuar akuza që e ka sjellë përpara gjykatës dhe e ka vendosur në izolim. Mosdhënien konkrete të dosjes ai e cilësoi si një “absurd tragjikomik”.
Gjykata vendosi që i pandehuri të ketë të drejtë të studiojë fotokopje të fashikujve, por jo përmes një kompjuteri, duke marrë parasysh rregullat e paraburgimit që ndalojnë përdorimin e pajisjeve elektronike. Paralelisht, Veliaj kërkoi respektimin e dinjitetit të tij, të prezumimit të pafajësisë dhe të drejtës për mbrojtje efektive. Ai u ankua edhe për faktin se mbahet në një “kafaz metalik” gjatë seancave, gjë që sipas tij e pengon të komunikojë lirshëm me mbrojtjen dhe krijon një perceptim paragjykues.
“Qëndrimi prej nëntë muajsh në këtë kafaz metalik, në prani të këtij trupi gjykues, përbën shkelje”, u shpreh ai, duke shtuar se është thirrur në gjykatë për t’u mbrojtur dhe jo për t’u poshtëruar. Ai kujtoi se në Gjykatën Kushtetuese është paraqitur i ulur dhe jo i mbyllur në kafaz, pa asnjë problem sigurie.
Gjykata pranoi kërkesën e tij për t’u njohur me aktet e dosjes në formë të lexueshme dhe të aksesueshme, ndërsa seanca u shty për më 5 dhjetor, në orën 09:00.
Fjala e plotë e Erion Veliajt para gjykatës
“E nderuara zonja gjyqtare,
është hera e parë që paraqitem personalisht në këtë fazë gjyqësore.
Dua ta nis duke e bërë të qartë se kjo vonesë nuk ka ardhur kurrë për mungesë respekti ndaj këtij trupi gjykues, ndaj gjykatës apo ndaj drejtësisë. Përkundrazi, pikërisht sepse besoj dhe e respektoj drejtësinë, rolin e gjykatës dhe standardet që duhet të udhëheqin një proces të drejtë, kam kërkuar pa ndërprerje, gjatë gjithë këtyre muajve, zbatimin e këtyre standardeve.
Gjatë këtyre muajve kam kërkuar vetëm të drejta elementare, të drejta që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ia garanton çdo qytetari pa përjashtim, por që mua, deri më sot, nuk më është bërë e mundur t’i ushtroj. Kam kërkuar dinjitet dhe të kem akses të plotë, të pakufizuar dhe real, si dhe kohën e kushtet e nevojshme për të lexuar aktet, provat dhe çdo deklarim mbi të cilat është ndërtuar akuza që më ka sjellë para jush dhe më ka vendosur në izolim.
Fakti që është dashur një kohë kaq e gjatë për të më vënë në dispozicion dosjen, e cila është bërë shkak i heqjes së lirisë sime dhe i largimit faktik nga ushtrimi i funksioneve të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, po kthehet në një absurd tragjikomik. E them këtë me keqardhje dhe me respekt të plotë për këtë gjykatë: vonesat dhe pengesat e vazhdueshme krijojnë panoramën e një paragjykimi të plotë të çështjes, si dhe të trajtimit të të drejtave të mia kushtetuese jo si detyrime solemne të shtetit, por si pengesa që duhen anashkaluar, në funksion të një procesi që duket se kërkohet të zhvillohet shpejt, të mbyllet shpejt dhe të dëgjohet sa më pak.
Fakti që mua personalisht nuk më është vënë ende në dispozicion një kopje fizike e akteve, si dhe koha minimale për t’u njohur me një akuzë të ndërtuar mbi rreth 60 mijë faqe, flet qartë për fatin procedural që po i përgatitet këtij procesi. Një volum i tillë dokumentesh, që do të kishte sfiduar edhe gjykimet më të rënda të historisë moderne nga Nurembergu deri te Tribunali i Tokios, po përdoret këtu jo për të zbardhur të vërtetën, por për të bërë praktikisht të pamundur ushtrimin e së drejtës sime kushtetuese për t’u mbrojtur. Në këto kushte, është e qartë se procesi rrezikon të humbasë karakterin e tij gjyqësor dhe të kthehet në një procedurë formale, ku volumi i akteve zëvendëson dijeninë, ndërsa mungesa e aksesit zëvendëson mbrojtjen.
Zonja gjyqtare, jam para jush sot për të paraqitur dy kërkesa themelore, të cilat nuk burojnë nga statusi im publik, por nga atributi im më i thjeshtë dhe më i rëndësishëm: ai i qytetarit të Republikës së Shqipërisë. Nëse këto kërkesa nuk pranohen, atëherë faktikisht po më përjashtoni nga ky proces gjyqësor, një proces që as nuk është nisur nga unë dhe as ka ardhur me iniciativën time. Unë jam thirrur nga kjo gjykatë të marr pjesë në një procedim penal. Por nëse nuk më bëhen të ditura të gjitha aspektet e tij, nëse nuk më garantohet e drejta për t’u mbrojtur dhe nëse nuk trajtohem me dinjitetin që i takon çdo qytetari të këtij vendi, çdo qytetari që beson në standardet europiane të procesit të drejtë, atëherë më keni treguar “derën” në mënyrën më cinike të mundshme. Në atë moment gjykata e ka konsideruar prezencën dhe pjesëmarrjen time jo të panevojshme, por të pakuptimtë, sepse nuk mund të ketë pjesëmarrje reale aty ku mungon mbrojtja reale.
I. Kërkesa për respektimin e dinjitetit, prezumimit të pafajësisë dhe të drejtës për mbrojtje efektive
Zonja gjyqtare, qëndrimi im prej nëntë muajsh në këtë kafaz metalik, në prani të këtij trupi gjykues, përbën një shkelje të qartë dhe të vazhdueshme të:
– dinjitetit tim njerëzor,
– prezumimit të pafajësisë,
– të drejtës sime për mbrojtje efektive,
– dhe vetë perceptimit të paanshmërisë së gjykatës.
Ky pozicionim fizik, i pazakonshëm për një vend që aspiron standarde europiane, transmeton automatikisht një imazh kriminalizues, krijon idenë se jam një person “i rrezikshëm” dhe ushqen, qoftë edhe pavetëdijshëm, paragjykime të brendshme brenda vetë trupës gjykuese. Dua të jem shumë i qartë: këto nuk janë ankesa personale, por standarde të sanksionuara ndërkombëtarisht, që çdo gjykatë e një shteti anëtar të Këshillit të Europës është e detyruar t’i respektojë.
Dua të sjell në vëmendje një fakt të pakontestueshëm: para pak ditësh kam qenë i pranishëm në Gjykatën Kushtetuese, gjykatën më të lartë të vendit, dhe aty kam qenë i ulur, jo i mbyllur në kafaz. Nuk pati asnjë shqetësim, asnjë incident, asnjë arsye sigurie. Nëse gjykata më e lartë e Republikës së Shqipërisë ka vlerësuar se unë mund të paraqitem i lirë dhe me dinjitet para saj, është e pakuptimtë që në një gjykatë më të ulët të paraqitem si kërcënim për rendin publik. Ky standard i dyfishtë nuk qëndron dhe nuk mund të justifikohet.
II. E drejta ime për t’u njohur me aktet e dosjes, e mohuar plotësisht deri sot
Zonja gjyqtare, siç e kam theksuar edhe në një kërkesë zyrtare paraqitur kësaj gjykate, deri në këtë moment unë nuk jam njohur asnjëherë, as për një ditë, as për një faqe, me përmbajtjen e dosjes penale që numëron rreth 60.000 faqe. USB-ja që prokuroria i ka përcjellë avokatëve të mi nuk mund të më dorëzohet ligjërisht, sepse rregullorja e paraburgimit ndalon përdorimin e çdo pajisjeje elektronike. Ky nuk është një kufizim i rastësishëm, por një pamundësi objektive që e bën formal çdo pretendim se “dosja më është vënë në dispozicion”.
Si pasojë:
– nuk kam parë asnjë faqe të dosjes,
– nuk kam pasur mundësi reale të kuptoj akuzën ndaj meje,
– nuk kam pasur mjetet për të përgatitur mbrojtjen,
– dhe kështu, e drejta ime për mbrojtje efektive është shkelur në mënyrë të vazhdueshme.
Neni 31 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë më garanton të vihem në dijeni menjëherë dhe hollësisht për akuzën që më bëhet dhe të kem kohën dhe lehtësitë e mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen. Po ashtu, neni 6 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe neni 34/a i Kodit të Procedurës Penale më garantojnë të drejtën për t’u njohur me materialet e çështjes, për të pasur lehtësitë e nevojshme për mbrojtje, për të komunikuar privatisht me mbrojtësin dhe për të marrë pjesë aktivisht në proces. Asnjë nga këto nuk është respektuar.
Zonja gjyqtare, pas rreth 300 ditësh në paraburgim, jam sot para jush me tre kërkesa elementare, të cilat nuk kërkojnë as privilegj, as përjashtim, por thjesht respektimin minimal të të drejtave që Kushtetuta ua njeh të gjithë qytetarëve.
Kërkesat e mia konkrete janë:
- Heqja e menjëhershme e masës së vendosjes në kafaz, në përputhje me standardet e Konventës Europiane dhe jurisprudencën përkatëse, që e konsiderojnë këtë praktikë trajtim poshtërues, paragjykues dhe të papajtueshëm me nenet 3 dhe 6 të Konventës.
- Vënia e plotë dhe e menjëhershme në dispozicion e akteve të dosjes, në një formë të lexueshme dhe të aksesueshme, që më mundëson të jem realisht i informuar për akuzën dhe të kem kohën e nevojshme për përgatitjen e mbrojtjes sime.
- Shtyrja e procedurës derisa kjo e drejtë elementare – e drejta për t’u mbrojtur – të më garantohet në mënyrë të plotë dhe efektive. Asnjë proces i drejtë nuk mund të vazhdojë pa respektuar këto tre kushte minimale.
Unë jam këtu i thirrur për t’u mbrojtur, jo për t’u poshtëruar. Jam këtu si qytetar i një vendi demokratik e të lirë që kërkon të drejtën e tij, por edhe si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, i vetëdijshëm se ky proces prek jo vetëm lirinë time, por edhe parimet themelore mbi të cilat ndërtohet drejtësia në këtë vend. Dua ta them qartë: drejtësia nuk ndërtohet mbi kafaze, nuk ndërtohet mbi perceptime kriminalizuese dhe nuk ndërtohet duke shkelur të drejtën themelore të mbrojtjes. Unë pres drejtësi me standarde europiane ose refuzoj të bëhem pjesë e një procedure poshtëruese që nuk e meriton asnjë qytetar i këtij vendi.
E nderuara gjykatë, me besim të plotë në përmbushjen e një procesi të rregullt ligjor, kërkoj vendimmarrjen tuaj për këto kërkesa.”


