Dhjetëra banorë të njësisë administrative Levan shprehen se po u cenohet prona në fshatin Boçovë, tokë të cilën e kanë përfituar me ligjin 7501 dhe e kanë kultivuar për rreth 30 vjet. Ata tregojnë se paguajnë rregullisht taksat dhe e kanë punuar vazhdimisht këtë sipërfaqe, por prej një viti më shumë se disa hektarë tokë që u takojnë 14 familjeve figurojnë me certifikatë pronësie në emër të kompanisë Bervi Construksion.
Banorët thonë se tashmë nuk mund të afrohen në tokat e tyre dhe se janë ankuar në të gjitha institucionet përkatëse pa marrë asnjë përgjigje konkrete. Sipas tyre, kanë mësuar se në këtë zonë pritet të ndërtohen panele diellore, ndërsa theksojnë se një projekt i tillë nuk mund të vendoset mbi tokë bujqësore.
Sipas banorëve, është e pafalshme që ata të enden prej dekadash për të siguruar një certifikatë pronësie, ndërsa papritur përballen me mbivendosje të titujve të pronës. Ata kërkojnë që situata të zgjidhet dhe t u njihet e drejta mbi tokën, pasi ajo është burimi i vetëm ekonomik për familjet e zonës.
Informacionet nga njësia administrative Levan tregojnë se disa banorë kanë depozituar ankesë zyrtare. Autoriteti vendor i ka kërkuar kompanisë Bervi Construksion të paraqesë dokumentacionin që disponon për këtë sipërfaqe, por deri tani nuk është marrë asnjë përgjigje.


