Policia e Elbasanit ka zgjeruar hetimet lidhur me vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla, i njohur edhe si Edmond Hyka, i cili u ekzekutua me tre plumba mbrëmjen e së dielës ndërsa ndodhej në automjetin e tij Range Rover pranë karburantit Xhaxhi Oil.
Gjatë ditëve të fundit janë shoqëruar disa persona të lidhur me aktivitetet e viktimës. Mes tyre është Naldo Gjini, i cili ishte parë duke lëvizur me makinën që dyshohet se u përdor nga autorët. Përveç tij, policia ka thirrur për sqarime ish–partnerin e Mëhallës në biznes, si edhe rojen e karburantit ku ndodhi ngjarja.
Burime hetimore bëjnë të ditur se konflikte të mëhershme mes biznesmenit dhe ish–ortakut kanë ngritur dyshime të forta, ndërsa ky i fundit dyshohet se ka dhënë deklarime të pasakta për vendndodhjen e tij në momentet kur u krye krimi. Ndërkohë, roja e karburantit po hetohet pasi dyshohet se ka penguar zbardhjen e rrethanave.
Mbrëmjen e kaluar policia arrestoi ish–ortakun si autor të dyshuar të atentatit dhe rojen e karburantit për pengim të hetimeve. Në kërkim është vënë edhe një tjetër person që dyshohet të ketë bashkëpunuar në organizimin e ekzekutimit. Në banesën e Naldo Gjinit ishin kryer më herët kontrolle, pasi automjeti i përdorur në krim rezultoi të ishte pronë e kompanisë së viktimës, e cila ofronte makina me qira.
Mëhalla, 43 vjeç, i cili kishte precedentë penal në fushën e drogës dhe armëmbajtjes pa leje, kishte vite që ushtronte aktivitet në Elbasan. Ai ishte pronar i karburantit Xhaxhi Oil, shërbimit El Taxi dhe më herët i lokalit Hollywood Lounge Bar, që kishte mbyllur aktivitetin disa vite më parë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 20:35, menjëherë pasi ai kishte dalë nga zyra e tij. Në momentin kur u ul në automjet, një Audi i zi u pozicionua pranë Range Rover-it dhe qitësi zbriti nga mjeti për të qëlluar disa herë me pistoletë. Plumbat, dy prej të cilëve në kokë, i shkaktuan vdekjen e menjëhershme. Autorët u larguan me shpejtësi në drejtim të aksit Elbasan Librazhd.
Në vijim të hetimeve, paraditen e së hënës u gjet pranë fshatit Mirakë një automjet i djegur, i cili dyshohet të ketë shërbyer si mjeti i arratisjes. Makina rezultoi të ishte në pronësi të kompanisë së viktimës.
Ceremonia mortore e Mondi Mëhallës do të zhvillohet sot, ndërsa forca të shumta policie do të jenë të pranishme gjatë përcjelljes së tij në banesën e fundit.


