Administrata Tatimore ka bërë publike pagat indikative për profesionet në sektorin e ndërtimit dhe u kërkon bizneseve të deklarojnë plotësisht dhe saktë pagesat e punonjësve. Sipas institucionit, ky sektor vijon të ketë nivele të larta informaliteti, ku një pjesë e pagave vazhdon të jepet në mënyrë joformale.
Thirrja iu drejtohet të gjithë ndërtuesve dhe tatimpaguesve të fushës, duke i paralajmëruar se deklarimet që nuk përputhen me pagat indikative do të përfshihen në analizën e riskut dhe mund të çojnë në kontrolle të thelluara dhe masa administrative.
Nga dhjetori 2025 dhe në vijim, fokusi i Tatimeve do të jetë te subjektet që:
deklarojnë paga më të ulëta se niveli orientues i publikuar
ndryshojnë profesionet me qëllim uljen artificiale të pagës së deklaruar
Janë publikuar edhe nivelet indikative të pagave, të cilat variojnë nga 600 mijë lekë të vjetra për sanitarët, deri te profesionet e specializuara si arkitektë, drejtues mjetesh të rënda dhe menaxherë. Në këtë listë, bojaxhinjtë kanë pagë orientuese 850 mijë lekë të vjetra, ndërsa pllakaxhinjtë 900 mijë lekë të vjetra.
Administrata Tatimore sqaron se çdo tatimpagues që deklaron pagë nën nivelin orientues për një profesion të caktuar, ose ndryshon kategorinë profesionale për të ulur pagën e punonjësit, do të konsiderohet me risk dhe do të jetë subjekt kontrolli nga strukturat e specializuara.


