Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka bërë të ditur se muajin e kaluar Zëvendës Shefja e Misionit, Kathryn Hammond, ka dorëzuar pajisje të teknologjisë së avancuar Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike. Pajisjet do të përdoren për rritjen e nivelit të mbrojtjes së rrjeteve dhe infrastruktures kibernetike të vendit.
Në njoftimin e ambasadës theksohet se në një realitet gjithnjë e më të digjitalizuar, siguria kibernetike është bërë pjesë thelbësore e mbrojtjes kombëtare dhe një element i rëndësishëm për qëndrueshmërinë e infrastrukturave kritike. Shtetet e Bashkuara e cilësojnë këtë mbështetje si një hap për forcimin e kapaciteteve të Shqipërisë në parandalimin e sulmeve të qëllimshme kibernetike.
Sipas njoftimit, bashkëpunimi i vazhdueshëm në këtë fushë kontribuon jo vetëm në rritjen e sigurisë së Shqipërisë, por edhe në forcimin e mbrojtjes rajonale dhe të strukturës së NATO-s ndaj kërcënimeve digjitale.


