Një atentat me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e të dielës, datë 30 nëntor, në qytetin e Elbasanit ku u vra biznesmeni Mondi Mëhalla, i njohur edhe si Edmond Hyka, 43 vjeç. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:35 në lagjen Emin Matraxhiu, ku viktima u gjet i pajetë brenda një automjeti të tipit Range Rover, i cili ishte i parkuar.
Sipas informacioneve të para, Mëhalla sapo kishte dalë nga zyra, në të njëjtën godinë ku ndodhen edhe bizneset e tij dhe banesa e nënës. Në momentin që është ulur në makinë, një person e ka qëlluar me armë zjarri duke i shkaktuar tre plagë, dy prej të cilave në kokë, çka solli vdekjen e menjëhershme.
Shërbimet e Policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje, ngritën pika kontrolli në daljet e qytetit dhe kryen kontrolle në zona të ndryshme me synimin për të gjetur autorët. Informacionet e mbledhura tregojnë se autorët mund të jenë larguar me një automjet Audi me ngjyrë të zezë përgjatë aksit Elbasan Librazhd.
Viktima, sipas të dhënave zyrtare, kishte precedent penal për çështje narkotikësh dhe armëmbajtje pa leje. Mësohet gjithashtu se gjatë javës ai ka qenë i përfshirë në një konflikt me disa persona, një pistë që po shqyrtohet nga grupi hetimor.
Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimi që, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të dokumentuar ngjarjen, për të mbledhur provat e nevojshme dhe për të identifikuar ekzekutorët.


