E dyta në Europë me emigracion më të lartë! BERZH: Shqipëria ka humbur 40% të popullsisë nga emigrimi, ekonomia do të ulet me 0.4 pikë përqindje në vit

Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet që kanë përjetuar nivelin më të lartë të emigracionit të popullsisë në hapësirën postkomuniste që nga viti 1990, sipas raportit të Tranzicionit 2025–2026 të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) “Një botë e vjetër, por më e guximshme”.

Grafiku i raportit tregon se Shqipëria ka humbur rreth 40% të popullsisë së vitit 1990 për periudhën 1990–2023, vetëm përmes emigracionit neto — niveli i dytë më i lartë në Europë dhe në të gjithë grupin e ekonomive të BERZH.

Nga ana tjetër, shtesa natyrore ka qenë pozitive për pjesën më të madhe të periudhës dhe ka kompensuar rreth 27% të popullsisë së vitit 1990, duke zbutur pjesërisht efektin e emigrimit, por pa arritur ta neutralizojë atë.

Edhe Kosova ka humbur rreth 50% të popullsisë së vitit 1990 për të njëjtën periudhë — niveli më i lartë në Europë — ndonëse ka pasur një shtesë natyrore më të lartë se Shqipëria, me gati 40%.

Raporti thekson se ky boshllëk i madh demografik po përkthehet në një frenim të dukshëm ekonomik për Shqipërinë. Në grafikun e dytë, BERZH mat për herë të parë ndikimin vjetor të demografisë në rritjen e PBB-së për frymë. Për Shqipërinë, kontributi i popullsisë ka qenë negativ gjatë viteve 2000–2023, me rreth –0.2 pikë përqindje rritje të humbur çdo vit.

Për periudhën 2024–2050, ndikimi pritet të thellohet në –0.3 deri –0.4 pikë përqindje në vit, duke e renditur Shqipërinë ndër ekonomitë më të ekspozuara në gjithë rajonin e BERZH. Edhe për horizontin 2050–2100, sinjali mbetet negativ, duke treguar se plakja e popullsisë dhe pakësimi i forcës së punës do të vazhdojnë të ndikojnë ekonominë në dekadat e ardhshme.

Mungesa e fuqisë punëtore, rritja e numrit të të moshuarve dhe dobësimi i bazës së kontribuuesve në skemat sociale po e vendosin ekonominë nën presion të vazhdueshëm.

BERZH paralajmëron se, pa rritje të produktivitetit, investime teknologjike dhe politika që frenojnë humbjen e kapitalit njerëzor, vendet me emigracion masiv – ku Shqipëria dhe Kosova renditen të parat – do të shohin një rënie të qëndrueshme në potencialin e tyre afatgjatë të rritjes.

Raporti shton se ky model tashmë ka pasoja të dukshme në tregun e punës, investimet, produktivitetin dhe stabilitetin fiskal.

Sipas BERZH, Shqipëria dhe Kosova janë ndër ekonomitë më të ekspozuara në të gjithë rajonin. Edhe nëse rritja ekonomike mbetet pozitive, ritmi i saj potencial do të jetë ndjeshëm më i ulët se në vendet me popullsi në rritje, si Turqia, Egjipti apo vendet e Azisë Qendrore.

Në përfundim, raporti sugjeron se në mungesë të rritjes së produktivitetit, investimeve teknologjike, rritjes së kapitalit njerëzor dhe përmirësimit të klimës së biznesit, emigracioni masiv do të vazhdojë të frenojë rritjen ekonomike për të paktën edhe tre dekada të tjera.

Ndaj Postimin: