Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Bashkimit Evropian të rishikojë rregulloret e tij për kompanitë e mëdha të teknologjisë, nëse Evropa dëshiron të përfitojë tarifa më të ulëta për eksportet e saj të çelikut dhe aluminit në tregun amerikan.
Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, deklaroi se është “shumë e rëndësishme” që Evropa të marrë në konsideratë ndryshime në politikat e saj digjitale, nëse kërkon lehtësim tarifor nga Uashingtoni.
Këto deklarata vijnë ndërsa zyrtarë të SHBA-së dhe BE-së po zhvillojnë bisedime në Bruksel për statusin e marrëveshjes tregtare të arritur në korrik. Sipas saj, SHBA vendosi tarifa më të ulëta për produktet evropiane në këmbim të angazhimeve për investime dhe për të lejuar më shumë produkte bujqësore amerikane në tregun europian.
Megjithatë, palët vazhdojnë të mbeten në mosmarrëveshje për disa elementë të marrëveshjes. SHBA është ende duke aplikuar tarifë 50 për qind ndaj disa metaleve evropiane dhe madje ka shtuar produktet e prekura nga kjo taksë.
Evropa shpreson gjithashtu të sigurojë përjashtime tarifore për produkte si vera, djathi dhe pasta, të ngjashme me ato që administrata Trump akordoi për fruta tropikale dhe kafe.
Përfaqësuesi i Tregtisë së SHBA-së, Jamieson Greer, deklaroi se Uashingtoni pret që Evropa të ulë tarifat ndaj produkteve amerikane përpara se SHBA të konsiderojë përjashtime të tjera.
Ai dhe Lutnick theksuan se SHBA kërkon lëshime nga Evropa në lidhje me rregullat e saj për kompanitë e mëdha të teknologjisë, sidomos ato që prekin gjigantët amerikanë.
“Ata duan që çeliku dhe alumini të jenë pjesë e paketës, dhe ne mendojmë se është shumë e rëndësishme që të kuptojnë rregulloret tona digjitale dhe t’i rishikojnë ato që të jenë më të favorshme për kompanitë tona,” tha Lutnick për Bloomberg Television.
SHBA prej kohësh është ankuar se taksat evropiane ndaj shërbimeve digjitale dëmtojnë padrejtësisht kompanitë amerikane, ndërsa firmat teknologjike kanë kundërshtuar rregulla si Akti i Tregjeve Digjitale, i cili synon të rrisë konkurrencën dhe ndalon praktikat monopoliste.
Administrata Trump shihet si më e gatshme të përballet me BE-në për çështjet digjitale, pasi administrata Biden zakonisht i ka lënë këto çështje në dorë të vetë kompanive.
Zyrtarët evropianë kanë thënë më herët se rregullat digjitale nuk janë të negociueshme. Komisioneri Evropian për Tregtinë, Maroš Šefčovič, përsëriti qëndrimin se rregulloret nuk janë diskriminuese dhe nuk kanë në shënjestër kompanitë amerikane.