Këshilli i Ministrave i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar pezullimin e menjëhershëm të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila vendosi të pezullojë nga detyra Belinda Ballukun si zëvendës kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në shkresën e siguruar nga Top News, qeveria argumenton se lënia në fuqi e vendimit të GJKKO sjell pasoja të pariparueshme për funksionimin e shtetit, duke krijuar një vakuum institucional, duke penguar punën e Këshillit të Ministrave dhe duke cenuar kompetencat që Kushtetuta ia njeh ekskluzivisht pushtetit ekzekutiv.
Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, qeveria i kërkon gjykatës:
- zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës midis ekzekutivit dhe GJKKO
- shfuqizimin e vendimit që pezulloi Ballukun nga ushtrimi i detyrës
- pezullimin e efekteve të këtij vendimi deri në përfundimin e shqyrtimit
- interpretimin e pikës tre të nenit njëqindenjëtë e tre të Kushtetutës, që sipas qeverisë i njeh ministrave të gjitha garancitë procedurale të deputetëve
Sipas Kryeministrisë, vendimi i GJKKO është antikueshtetues, pasi:
- cenon imunitetin e anëtarit të Këshillit të Ministrave
- shkel parimin e ndarjes së pushteteve
- ndërhyn në kompetencat e organeve që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat
Në shkresë theksohet se një vendim pezullimi për një ministër ose zëvendës kryeministër paralizon punën e Këshillit të Ministrave dhe shkakton pasoja të rënda për veprimtarinë e ekzekutivit.
Kryeministria thekson se ministrja e pezulluar drejton një dikaster që ka në dorë rreth tetëqind projektakte me rëndësi për procesin e integrimit evropian, të cilat duhet të përfundojnë deri në vitin njëzet e shtatë, dhe se pezullimi i saj pengon realizimin e këtij detyrimi kombëtar.
Qeveria kërkon që Gjykata Kushtetuese të marrë masa të menjëhershme, duke vlerësuar se vendimi i GJKKO prek drejtpërdrejt interesin shtetëror dhe funksionimin e pushtetit ekzekutiv.


