Inceneratorët e fikur, qeveria rikthen faturën te publiku: 10 milionë euro për mbylljen e fushave të mbetjeve në Elbasan dhe Fier

Landfilli i Elbasanit, që prej vitesh funksionon si zëvendësues i inceneratorit jofunksional, u përfshi sërish nga flakët në fillim të korrikut. Zjarri, i përsëritur nga viti në vit, u justifikua nga administrata me tejmbushjen e venddepozitimit dhe temperaturat e larta. Por problemi është shumë më i thellë: inceneratori që do të duhej të digjte mbetjet, thjesht nuk punon.

Pas dhjetëra milionë eurove të investuara në inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës — asnjë prej të cilëve nuk funksionon — qeveria ka vendosur të hapë edhe një herë arkën publike. Këtë herë, për të mbyllur fushat e mbetjeve në Elbasan dhe Fier.

Zëvendësministrja e Mjedisit, Elda Xhumari, konfirmoi në Komisionin Parlamentar për Burimet Natyrore se pjesa kryesore e një fondi prej 1 miliard lekësh, e miratuar si transfertë e pakushtëzuar për bashkitë, do të devijohet pikërisht për dy venddepozitimet problematike.

“Është evidentuar nevoja për rishikim të fondeve në qarkun Fier dhe Elbasan për shkak të mbylljes së venddepozitimeve ekzistuese dhe mungesës së kapaciteteve përpunuese,” tha Xhumari.

Opozita: “Pse paguajmë dy herë për të njëjtin problem?”

Deputeti i PD-së Blendi Himçi ngriti pikërisht këtë pyetje:
Pse qeveria po shpenzon miliona të tjera për të mbyllur fushat e mbetjeve, kur inceneratorët që paguan prej vitesh nuk janë vënë kurrë në punë?

Ai nënvizoi Faktin se:

  • Inceneratori i Elbasanit, me kosto 26 milionë euro, ka funksionuar vetëm disa ditë.
  • Inceneratori i Fierit, me vlerë 32 milionë euro, nuk është vënë asnjëherë në punë.

Të dy impiantet janë nën sekuestro të SPAK-ut, në kuadër të hetimeve për aferën e inceneratorëve — një nga çështjet më të mëdha korruptive në vend, që ka çuar para drejtësisë një sërë zyrtarësh shtetërorë.

Xhumari nuk dha përgjigje substanciale mbi dështimin e inceneratorëve, duke deklaruar vetëm se për vitin 2026 pritet “hartimi i planeve për të dy venddepozitimet”.

Kriza që nuk mbaron

Bashkia e Elbasanit e ka pranuar hapur krizën e menaxhimit të mbetjeve dhe ka kërkuar ndihmë për ngritjen e një landfilli të ri ose zgjerimin e atij ekzistues. Fieri, ndërkohë, e ka të pamundur përpunimin e mbetjeve pa një impiant funksional.

Ndërsa situata përkeqësohet, qeveria po promovon një “reformë të re” për menaxhimin e mbetjeve, duke iu rikthyer hierarkisë së ndarjes në burim, riciklimit dhe kompostimit — ndërkohë që vetë inceneratorët, mbi të cilët u ndërtua strategjia e dekadës së fundit, janë kthyer në objekte të bllokuara, të pablevueshme dhe të padobishme.

Kush paguan? Sërish taksapaguesi

Ligji i ri i AKEM-it parashikon rritjen e tarifave për menaxhimin e mbetjeve sipas parimit “ndotësi paguan”. Por asnjë analizë nuk është bërë publike se sa do t’i kushtojë realisht qytetarëve kjo reformë e re — përfshirë mbylljen e fushave të mbetjeve, dështimin e inceneratorëve dhe investimet e papërfunduara.

Në fakt, Shqipëria po paguan dy herë: një herë për inceneratorët që nuk punojnë, dhe një herë për pasojat e mosfunksionimit të tyre.

Dhe ndërsa asnjë projekt i incenerimit nuk jep rezultat, mbetjet vazhdojnë të digjen, landfillët tejmbushen dhe zjarret përsëriten — duke treguar se kriza e menaxhimit të mbetjeve jo vetëm nuk është zgjidhur, por thellohet çdo vit.

Ndaj Postimin: