Autoritetet italiane kanë goditur një rrjet të gjerë kriminal me bazë në Lombardi, i cili kishte degëzime në Gjermani, Holandë, Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar, Kolumbi dhe Brazil, dhe që kishte krijuar lidhje të drejtpërdrejta me ndërmjetës dhe furnizues shqiptarë të kokainës nga Amerika Latine.
Sipas mediave italiane, organizata kriminale përdorte pajisje të sofistikuara të komunikimit të koduar për të organizuar trafikun dhe për të ruajtur kontaktet me grupet e furnizimit në Amerikën e Jugut. Kokaina mbërrinte përmes anijeve kontejner në portet e Livornos, Roterdamit, Gioia Tauros dhe Le Havres, duke përdorur teknikën e fshehjes brenda mallrave të ligjshme.
Vlera e ngarkesave të mbërritura në Lombardi kalonte njëzet e shtatë milionë euro, ndërsa grupi kishte mbushur tregun italian dhe europian me sasi të mëdha droge.
Operacioni i përbashkët i Guardia di Finanza dhe strukturave të specializuara të luftës kundër krimit të organizuar çoi në ekzekutimin e urdhrave të arrestit për njëzet e tetë persona, prej të cilëve njëzet e pesë u dërguan në burg dhe tre në arrest shtëpie.
Rrjeti kriminal ishte i përbërë nga persona të Ndranghetës së Lokridës, sidomos klanit Barbaro, të cilët në bashkëpunim me grupe të Kamorras napolitane dhe me persona të lidhur me qarqe kriminale shqiptare, financonin dhe drejtonin trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Hetuesit identifikuan edhe një shtetas kinez, i cili akuzohet për pastrim parash. Prokurori i Milanos, Marcello Viola, deklaroi se ai kishte vepruar si “ndërrues parash”, duke përdorur sistemin informal Fei Ch ien, që në përkthim të lirë do të thotë “para fluturuese”. Përmes tij paguheshin dërgesat e drogës.
Operacioni u mbështet nga Eurojust dhe Europol, të cilat siguruan urdhra hetimorë europianë për të dekoduar komunikimet e grupit.
Kërkimet u zhvilluan në disa provinca italiane, përfshirë Milano, Pavia, Bergamo, Como, Parma, Imperia, Romë, Taranto dhe Reggio Calabria, me asistencën e njësive antidrogë dhe të qenve të specializuar për gjurmimin e parave.
Hetimi ndërkombëtar bëri të mundur rindërtimin e një zinxhiri trafiku prej më shumë se tre pikë pesë tonë kokaine, nga të cilat mbi katërqind kilogramë u sekuestruan në Itali dhe jashtë saj.


