Një ngjarje e pazakontë dhe tronditëse ka dalë në dritë në Borgo Virgilio, pranë Mantovës në rajonin e Lombardisë, ku një 56 vjeçar ka tentuar të mashtrojë autoritetet duke u veshur si e ëma 85 vjeçare, e cila kishte ndërruar jetë në vitin 2022.
Sipas mediave italiane, burri, me profesion infermier, është paraqitur në zyrat komunale i maskuar si nënë, me qëllim që të rinovonte dokumentet dhe të vijonte përfitimin e pensionit të saj. Dyshohet se ai kishte mbajtur trupin e pajetë të së ëmës në banesë për të mos ndërprerë pagesat.
Punonjësi përgjegjës për rinovimin e kartës së identitetit ka vënë re se “gruaja” që kishte përballë nuk përputhej me të dhënat dhe pamjen e personit që duhej të ishte.
Pas ngritjes së dyshimeve u njoftua policia, e cila kreu një kontroll në banesën e 56 vjeçarit dhe gjeti trupin e 85 vjeçares. Hetimet po vijojnë për të dokumentuar të gjitha detajet e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë penale.


