Një i ri 27 vjeç është arrestuar nga Policia e Shijakut, pasi dyshohet se ka kryer disa vjedhje në biznese të ndryshme në zonë, ku ka marrë shuma parash dhe sende me vlerë.
Sipas të dhënave zyrtare, hetimet e kryera nga specialistët e Hetimit të Krimeve zbuluan se i riu ka qenë i përfshirë në tre vjedhje të zhvilluara në një market dhe në dy biznese në fshatrat Borak dhe Xhafzotaj. Operacioni policor i koduar “Shumat” çoi në identifikimin dhe ndalimin e tij.
I arrestuari, me inicialet R. T., banues në Shijak, dyshohet të jetë autori edhe i disa vjedhjeve të tjera të ngjashme që kanë ndodhur më herët në këtë zonë. Në këto raste ai ka përvetësuar para, sende me vlerë dhe aksesorë të ndryshëm.
Policia njofton se puna hetimore vazhdon në bashkëpunim me Prokurorinë, për të dokumentuar me prova ligjore edhe ngjarje të tjera që mund të lidhen me të dyshuarin. Si provë materiale janë sekuestruar rrobat që i riu kishte përdorur gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, ndërsa ndaj 27 vjeçarit rëndon akuza për vjedhje.


