Zbulohet plani me 28 pika i Bashkimit Evropian për Ukrainën, rikthimi i Rusisë në G8 dhe zgjedhjet e shpejta në qendër të propozimit

Qeveritë evropiane kanë përgatitur një version të rishikuar të planit të paqes për Ukrainën, i cili përmban ndryshime të rëndësishme krahasuar me kornizën me 28 pika të propozuar më parë nga Shtetet e Bashkuara. Drafti i ri është përshkruar nga ekspertët si një përpjekje për të gjetur një balancë më të drejtë mes interesave të Kievit dhe Moskës, pas kritikave se plani amerikan ishte tepër i favorshëm për Rusinë.

Dokumenti është përgatitur nga Britania, Gjermania dhe Franca dhe përfshin mundësinë e rikthimit të Rusisë në grupin G8, si dhe vendosjen e një kufiri maksimal për forcat e armatosura të Ukrainës. Plani u prezantua në takimin e jashtëzakonshëm të mbajtur në Gjenevë, ku sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Shtetet e Bashkuara po bëjnë disa ndryshime në versionin e tyre të planit të paqes.

Rubio e përshkroi ditën e bisedimeve si më të rëndësishmen e procesit deri tani, por theksoi se dokumenti përfundimtar duhet të marrë ende miratimin e presidentit Donald Trump dhe të qeverisë ruse.

Propozimi evropian përfshin një sërë pikash kyçe, përfshirë:

  1. Rikonfirmimin e sovranitetit të Ukrainës.
  2. Marrëveshje të plotë mos sulmi midis Rusisë, Ukrainës dhe NATO-s, që do të trajtojë çështjet e hapura të tre dekadave të fundit.
  3. Heqjen e pikës që ndalonte zgjerimin e NATO-s, e pranishme në draftin amerikan.
  4. Nisjen e dialogut Rusi–NATO pas nënshkrimit të marrëveshjes për të ndërtuar besimin dhe për të shmangur përshkallëzimin e konflikteve.
  5. Garanci të forta sigurie për Ukrainën.
  6. Kufizimin e ushtrisë ukrainase në 800 mijë trupa në kohë paqeje.
  7. Anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të varet nga unanimiteti i vendeve anëtare.
  8. NATO nuk do të vendosë trupa të përhershme në territorin ukrainas gjatë periudhës së paqes.
  9. Avionët luftarakë të NATO-s do të stacionohen në Poloni për qëllime mbrojtëse.
  10. SHBA do të ofrojë garanci sigurie të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s, të kushtëzuara me reagim të menjëhershëm në rast agresioni rus.
  11. Ukraina do të ketë të drejtë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe do të përfitojë akses të përkohshëm të favorizuar në tregun e përbashkët evropian.
  12. Krijimin e një fondi të posaçëm për rindërtimin e Ukrainës, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe vendet donatore.
  13. Rikthimin e Rusisë në ekonominë globale përmes heqjes graduale të sanksioneve dhe ribashkimit në G8.
  14. Përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të financuar rindërtimin e Ukrainës dhe kompensimin e dëmeve të luftës.
  15. Formimin e një grupi të përbashkët sigurie që do të përfshijë SHBA-në, Ukrainën, Rusinë dhe vendet kryesore evropiane.
  16. Zgjerimin e marrëveshjeve për kontrollin bërthamor midis SHBA-së dhe Rusisë.
  17. Ruajtjen e statusit jo bërthamor të Ukrainës sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.
  18. Vendosjen e mbikëqyrjes ndërkombëtare për centralin bërthamor të Zaporizhias.
  19. Ndalimin e çdo ndryshimi të kufijve me dhunë dhe nisjen e negociatave territoriale nga linja aktuale e kontaktit.
  20. Mbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainë sa më shpejt pas nënshkrimit të marrëveshjes.
  21. Krijimin e një komisioni humanitar për shkëmbimin e të burgosurve dhe kthimin e civilëve.
  22. Garanci për lirinë e transportit të grurit përmes Detit të Zi.
  23. Krijimin e një “Këshilli të Paqes” që do të monitorojë zbatimin e marrëveshjes nën udhëheqjen e SHBA-së.
  24. Ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe zbatimin e kushteve nën mbikëqyrje ndërkombëtare.

Sipas agjencisë Reuters, dokumenti evropian ruan strukturën e përgjithshme të planit amerikan, por sjell ndryshime thelbësore strategjike që e vendosin theksin te roli ndërmjetësues i Evropës dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.

Plani pritet të diskutohet më tej në nivel ministrash në fillim të dhjetorit, përpara se t’i paraqitet zyrtarisht Moskës dhe Kievit për miratim.

Ndaj Postimin: