Fier, aktivistët dhe banorët protestojnë për mungesën e ujit të pijshëm: “Një turp kombëtar dhe dështim historik”

Mungesa e ujit të pijshëm në qytetin e Fierit ka nxitur pasditen e sotme një protestë të banorëve dhe aktivistëve, të cilët kërkuan zgjidhje të menjëhershme për këtë problem të përsëritur prej vitesh.

Protestuesit, me pankarta në duar, e cilësuan krizën e furnizimit me ujë si një “turp kombëtar” dhe “dështim historik” të institucioneve qendrore dhe lokale. Ata kërkuan masa konkrete për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm me ujë të pijshëm në çdo lagje të qytetit.

Aktivisti Elis Baba u shpreh se qytetarët fierakë janë përballur prej ditësh me ndërprerje të ujit pa asnjë paralajmërim, ndërsa njoftimet e mëvonshme në rrjetet sociale i konsideroi “propagandë, jo informim”.

“Fieri është lënë pa ujë të pijshëm për ditë të tëra, pa asnjë shpjegim. Qytetarët informohen vetëm pasi ndërprerja ndodh, ndërkohë që shpesh edhe energjia elektrike ndërpritet pa paralajmërim,” tha Baba.

Banori Spiro Goga theksoi se kjo situatë është e përsëritur prej vitesh dhe se qyteti është ende larg standardit minimal të furnizimit 24 orë në ditë, që është premtuar prej dekadash.

“Nuk është normale që në vitin 2025 të flasim ende për mungesë uji dhe energjie. Janë shërbime themelore që çdo qytetar duhet t’i ketë,” tha Goga.

Protestuesit kërkuan përgjegjësi institucionale dhe zgjidhje të qëndrueshme, duke theksuar se furnizimi me ujë dhe energji elektrike është e drejtë themelore e çdo qytetari dhe jo një luks që duhet kërkuar me protesta.

Ndaj Postimin: