PPE: Anëtarësimi i Shqipërisë në BE duhet të kushtëzohet me standardet demokratike dhe pavarësinë institucionale

Partia Popullore Evropiane (PPE) ka publikuar një video zyrtare nga punimet e Asamblesë së Unionit Demokratik Ndërkombëtar (CDI), të mbajtur në Sao Paolo të Brazilit, ku PPE mori pjesë si organizatë anëtare.

Në deklarimin e saj, eurodeputetja dhe Sekretarja e Përgjithshme e PPE-së, Dolors Montserrat, prezantoi katër përfundime kryesore të punimeve, ndër të cilat një pikë i kushtohej veçanërisht Shqipërisë.

Montserrat theksoi se procesi i integrimit evropian i Shqipërisë duhet të mbetet i kushtëzuar me respektimin e standardeve demokratike dhe garantimin e pavarësisë së institucioneve.

“Ne insistojmë që anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian të kushtëzohet me ndalimin e rrëshqitjes demokratike dhe kapjes së mediave dhe drejtësisë, të kryera nga një lidership i lidhur me trafikun e drogës, krimin e organizuar dhe pastrimin e parave,” thuhet në deklaratën e PPE-së.

Ky qëndrim i PPE-së përbën një sinjal të qartë politik ndaj institucioneve evropiane dhe autoriteteve shqiptare, duke nënvizuar nevojën për rikthim tek standardet e shtetit të së drejtës, transparencën qeveritare dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe mediatik.

Ndaj Postimin: