Fansi australian përfundon në burg dhe dëbohet nga Singapori pasi sulmoi Ariana Granden në premierë

Një shtetas australian, Johnson Wen, 26 vjeç, është dëbuar dhe ndaluar të hyjë sërish në Singapor, pasi sulmoi këngëtaren dhe aktoren Ariana Grande gjatë premierës aziatike të filmit Wicked: For Good, më 13 nëntor.

Autoritetet e imigracionit të Singaporit njoftuan se Wen është dënuar me nëntë ditë burg për sjellje të papërshtatshme në publik, ndërsa pas përfundimit të dënimit është deportuar dhe shpallur person i padëshiruar.

Sipas mediave vendase, Wen kapi dhe përqafoi me forcë Ariana Granden, pasi kaloi barrikadat dhe shtyu fotografët gjatë premierës në Singapor. Aktorja dhe bashkëprotagonistja e filmit, Cynthia Erivo, ndërhyri menjëherë duke e larguar agresorin nga këngëtarja.

Ky incident shkaktoi zemërim publik në Singapor, pasi shumë qytetarë e akuzuan Wenin se riktheu traumën e Grande-s, e cila ka folur më herët për çrregullimin e stresit post-traumatik që përjetoi pas sulmit terrorist në koncertin e saj në Mançester në vitin 2017, ku humbën jetën 22 persona.

Gjatë gjykimit, u bë e ditur se Wen kishte tentuar dy herë të hynte në premierë, ndërsa në përpjekjen e dytë u ndalua dhe u mbajt nga rojet e sigurisë. Ai kishte një histori incidentesh të ngjashme, përfshirë hyrjen në skenë gjatë koncertit të Katy Perry në Sidnej, në qershor të këtij viti.

Pas ngjarjes, Wen publikoi video në rrjetet sociale duke falënderuar Ariana Granden dhe duke pretenduar se ishte “i lirë”. Ai u arrestua të nesërmen dhe pranoi fajësinë për akuzën e shkeljes së rendit publik.

Gjatë seancës gjyqësore, gjykatësi Christopher Goh tha se veprimet e tij ishin “të motivuara nga kërkimi për vëmendje” dhe se nuk mund të kalonin pa pasoja ligjore.

Ariana Grande nuk ka komentuar publikisht mbi ngjarjen, ndërsa Cynthia Erivo tha për NBC News:

“Doja vetëm të sigurohesha që shoqja ime ishte mirë. Nuk besoj se ai kishte qëllim të keq, por nuk mund të ishim të sigurt dhe reagimi im i parë ishte ta mbroja atë.”

Ndaj Postimin: