Janë bërë publike pjesë të reja nga dosja hetimore ndaj zv.kryeministres së pezulluar Belinda Balluku dhe ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, të cilët po hetohen për procedurat e prokurimit në projektin e “Unazës së Jashtme të Tiranës”.
Sipas dokumenteve të hetimit, më 1 tetor 2021, Balluku dhe Berberi kanë shkëmbyer disa mesazhe telefonike që lidhen me njoftimet dhe publikimet e procedurave për tenderin e “Unazës së Madhe”.
Në një nga mesazhet, Balluku i shkruan Berberit:
“Bëhu gati për unazat të hënën në mëngjes.”
Berberi e pyet nëse bëhet fjalë për njoftim apo inspektim, ndërsa Balluku ia kthen:
“Njoftimin, more.”
Në vijim të komunikimit, ajo thekson:
“Asnjë ndryshim. Thjesht të bëj këngën, por jam në Kukës.”
Sipas hetuesve, më pas dy zyrtarët kanë komunikuar për shtyrjen e afateve të publikimit të njoftimeve dhe koordinimin e veprimeve lidhur me tenderin.
Në një bisedë tjetër të datës 5 tetor 2021, Berberi njofton Ballukun se një emision investigativ kishte kërkuar informacion zyrtar për procedurën e prokurimit të Lotit 1 “Shqiponja”, duke pyetur për shpalljen e fituesit dhe çdo ankesë të mundshme.
Balluku i përgjigjet:
“Të plasi trapi, bëj punën dhe zbato ligjin. Kur të vijë afati i përgjigjes, do kesh mbaruar me procedurat. Nesër publikoji të gjitha në darkë.”
Hetimi tregon se më 6 tetor 2021, në orën 20:03, në sistemin elektronik të prokurimit është përfunduar vlerësimi i ofertave nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave për tenderin me objekt “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.
Sipas SPAK, këto komunikime janë pjesë e provave që dëshmojnë ndikimin e drejtuesve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe ARRSH-së në procedurat e tenderimit dhe publikimit të dokumenteve.
Hetimet për këtë rast vijojnë, ndërsa Balluku dhe Berberi akuzohen për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre në disa procedura publike.


