Me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në selinë e Aleancës në Bruksel janë mbledhur drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës civile dhe ushtarake nga të gjitha vendet aleate.
Në këtë takim mori pjesë edhe drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, e cila përfaqësoi Shqipërinë në punimet e Komitetit të Inteligjencës Civile (CIC) dhe Komitetit të Inteligjencës Ushtarake (MIC), si dhe në sesionin e përbashkët të tyre.
Takimi u zhvillua në një moment kritik për sigurinë euroatlantike, duke reflektuar përpjekjet e përbashkëta të aleatëve për të forcuar bashkëpunimin strategjik dhe për të përballuar kërcënimet globale.
Gjatë sesioneve u zhvilluan diskutime strategjike mbi sfidat e sigurisë, përfshirë agresionin rus në Ukrainë, marrëdhëniet e Moskës me Kinën, Korenë e Veriut, Bjellorusinë dhe Iranin, si dhe të ardhmen e inteligjencës së NATO-s, me fokus në përdorimin e teknologjive të reja në fushën e mbrojtjes dhe informacionit.
Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte theksoi gjatë fjalës së tij se “siguria nuk është më një çështje rajonale, por globale”, duke vlerësuar se aleatët po shkëmbejnë informacion dhe inteligjencë më shpejt dhe më gjerësisht se kurrë më parë.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë mbledhje të nivelit të lartë nënvizon angazhimin e vendit për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë me aleatët e NATO-s dhe rolin e saj në ruajtjen e stabilitetit euroatlantik.
Takimet e tilla zhvillohen çdo vit në Bruksel, ndërsa komitetet e inteligjencës mblidhen rregullisht gjatë vitit për të harmonizuar politikat dhe strategjitë që mbështesin planet dhe operacionet e NATO-s.


