Policia e Shtetit ka arrestuar në Fier Petrit Mernicën, 57 vjeç, i dënuar më parë për vrasje dhe i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Arrestimi u krye pas informacioneve operative që tregonin për një person të armatosur në zonën e fshatit Fermë Çlirim.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga efektivët, Mernica u kap në flagrancë me një pistoletë dhe dy karikatorë me nga shtatë fishekë secili, të pajisur me municion luftarak, që i mbante në çantën e dorës.
I arrestuari është banues në fshatin Sulaj dhe babai i Azgan Mernicës, i cili vrau një efektiv të Forcave “Shqiponja” në Fier rreth një vit e gjysmë më parë.
Pas arrestimit, arma e zjarrit dhe municionet u sekuestruan si prova materiale, ndërsa materialet hetimore janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme ligjore.


