Finalizohet operacioni “Wrong Delivery” në Tiranë, arrestohen 4 persona dhe shpallet në kërkim një tjetër për falsifikim kartëmonedhash euro

Policia e Tiranës ka goditur një rast të falsifikimit të kartëmonedhave, duke arrestuar katër shtetas që bashkëpunonin në formën e një grupi kriminal, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Në pranga u vunë shtetasit A. B., 19 vjeç, banues në Shkodër, S. L., 26 vjeç, banues në Tiranë, E. A., 19 vjeç, banues në Tiranë, si dhe një i mitur 17 vjeç, banues gjithashtu në Tiranë. Në kërkim është shpallur A. P., 19 vjeç, banues në Krujë.

Sipas njoftimit zyrtar, shtetasit S. L., E. A. dhe i mituri u kapën në flagrancë në momentin që po tentonin të tërhiqnin 11 pako që përmbanin kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara, në një postë në kryeqytet.

Hetimet kanë zbuluar se këto dërgesa kryheshin nga A. B., i cili përdorte një emër tregtar të rremë për të fshehur origjinën e parave dhe për të shpërndarë kartëmonedhat e falsifikuara në treg.

Policia e Tiranës ka sekuestruar provat materiale, ndërsa vijojnë hetimet për të zbuluar rrjetin e plotë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Ndaj Postimin: