Deputetja demokrate Jorida Tabaku, në një intervistë për emisionin “Kjo Javë”, foli për sfidat me të cilat përballet opozita, duke theksuar se Partia Demokratike ka nevojë për një ndryshim të thellë dhe për t’u riformatuar politikisht.
“Që të jesh në opozitë në një mandat të katërt duhet të rishpikësh veten. Ka shumë diskutime në PD për instrumentet që duhet të përdorim. E rëndësishme është mendësia për të hapur partinë dhe për të mësuar nga gabimet e të shkuarës. Nuk ka diskutim që duhet të bëjmë gjërat ndryshe,” tha Tabaku.
Ajo nënvizoi se të gjitha kauzat që diskutohen sot janë ngritur nga Partia Demokratike dhe se shoqëria shqiptare po vuan pasojat e keqqeverisjes. “Të gjitha kauzat që diskutohen sot janë ngritur nga PD. Që të vendoset PD në fokus bën apo jo protesta, më duket gabim. Ne duhet të flasim me qytetarët që të ngremë frymën,” u shpreh ajo.
Deputetja theksoi gjithashtu se opozita duhet të punojë paralelisht në disa drejtime për të fituar besimin e qytetarëve dhe për të sjellë rotacionin politik.
“Foltorja është menduar si një hapësirë edhe për qytetarët dhe ku opozita nuk ka penalizimin që ndodh në Parlament, si një formë rezistence në protestë. Protesta nuk bën keq, përkundrazi duhet të ndodhë nga opozita, nuk ka asgjë të keqe të protestosh,” tha Tabaku.
Sipas saj, Partia Demokratike duhet të përgatisë një brez të ri individësh që do të kontribuojnë në frymën opozitare. “Grupi parlamentar i PD është reflektim i mënyrës se si partia çon përpara vizionin e saj. Për mua, rotacioni politik është i shëndetshëm dhe duhet të punojmë drejt tij. Turi që do të zhvillojë partia ka për qëllim të identifikojë kandidatë që mund t’i bashkohen frymës opozitare,” përfundoi deputetja.


