Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e së shtunës në aksin Lushnjë–Rrogozhinë, në afërsi të rrethrrotullimit të Grabjanit.
Një automjet tip Ford ka përplasur nga pas një BMV X5 dhe si pasojë e goditjes ka marrë flakë. Në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë zjarrfikësit e Lushnjës, të cilët kanë arritur të shuajnë zjarrin dhe të parandalojnë përhapjen e tij në zona të tjera.
Nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar. Policia rrugore ka mbërritur në vendngjarje për të kryer veprimet procedurale dhe për të disiplinuar trafikun, pasi qarkullimi është penguar përkohësisht për shkak të flakëve dhe mjegullës së tymit.
Sipas burimeve zyrtare, shkaku i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike në baterinë e mjetit Ford pas përplasjes, e cila ka çarë tubat e gazit duke shkaktuar zjarr. Aktualisht po kryhen punime për pastrimin e rrugës dhe normalizimin e qarkullimit.


