Investime të reja në bazën ajrore të Kuçovës, projekti përfshin rrjet elektrik, ndriçim dhe fibra optike

Baza Ushtarake e Kuçovës, e hapur si qendër taktike për NATO-n në mars të vitit 2024, do të modernizohet me një sërë ndërhyrjesh të reja infrastrukturore. Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka shpallur garën për përmirësimin e infrastrukturës, me një fond limit prej 10 milionë e 985 mijë lekësh.

Projekti, sipas dokumenteve zyrtare, do të përfshijë ndërtimin e rrjeteve elektrike dhe telekomunikuese me fibër optike, vendosjen e ndriçuesve të rinj në rrugë, si dhe ngritjen e një kabine të re elektrike që do të furnizohet me tension të mesëm 20 kV. Ky sistem do të sigurojë funksionim të pandërprerë të pajisjeve elektrike në të gjithë kampusin ushtarak.

Infrastruktura e re është projektuar duke marrë në konsideratë shpërndarjen e ambienteve, hapësirave të përbashkëta, terreneve sportive dhe mjediseve ndihmëse, me qëllim përmirësimin e funksionalitetit dhe lehtësimin e lëvizjes brenda bazës.

Një pjesë e rëndësishme e planit është krijimi i rrjetit të jashtëm të furnizimit me ujë, që do të lidhet me tubacionin ekzistues të Bashkisë Dimal. Gjatë punimeve do të përdoren materiale të certifikuara sipas standardeve të Bashkimit Evropian, për të garantuar siguri, qëndrueshmëri dhe efikasitet afatgjatë.

Investimi i ri do të ndikojë në modernizimin e plotë të bazës ajrore të Kuçovës, duke e forcuar më tej rolin e saj strategjik në kuadër të operacioneve të NATO-s në rajon.

Ndaj Postimin: